Gjykata Administrative formoi lëndë për padi nga Fronti Evropian për vendimin e KSHZ-së për rivotimin në Zhelinë

Gjykata Administrative njoftoi se është ngritur rasti për padinë e mbrëmshme të Koalicionit “Fronti Evropian” për vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për rivotim në vendvotimin 2101 në fshatin Llërcë të Komunës së Zhelinës dhe se të gjitha veprimet procedurale janë ndërmarrë urgjentisht në përputhje me Kodin Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Afati për vendimin e Gjykatës Administrative është 48 orë pas marrjes së padisë.

“Gjykata Administrative njofton opinionin se më 28 maj 2024, pas padisë së Koalicionit Fronti Evropian për Zgjedhjet Parlamentare 2024 kundër Vendimit UP1 nr. 10-33, datë 27.05.2024 të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, subjekti URP nr. 95/24. Nisur nga afatet e veprimit dhe vendimmarrjes, Gjykata Administrative ndërmerr me urgjencë të gjitha veprimet procedurale në përputhje me Kodin Zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Administrative.

KSHZ nuk e pranoi ankesën e Frontit Evropian për rivotimin në Llërcë, ku pas rivotimit, Fronti Evropian humbi një deputet në raport me rezultatet e 8 majit dhe koalicioni VLEN fitoi një mandat parlamentar.

Sipas rezultateve fillestare pas rivotimit në shtatë vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6 në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, Koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE mbetet me 58 mandate parlamentare, Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI ka humbur një deputet dhe ka 18 mandate parlamentare, njëlloj si Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane të udhëhequr nga LSDM. Koalicioni VLEN pas rivotimit fitoi një deputet më shumë dhe tani ka 14, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe e Majta mbeten me nga gjashtë mandate deputetësh.

Fronti EvropianGjykata Administrative RMVKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)Zgjedhje parlamentare RMV 2024