Gjuha si element unifikues i identitetit shqiptar

Nëntori është muaji i rëndësishëm për shqiptarët duke qenë se dy nga festat më të mëdha kombëtare i takojnë pikërisht këtij muaji, Dita e Alfabetit dhe Dita e Flamurit. Dita e alfabetit që shënohet me 22 nëntor ka rëndësi të posaçme sepse lidhet me njërin nga elementet themelore të identitetit tonë kombëtar, pra me gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj.

Kongresi i Manastirit, i mbajtur në qytetin e Manastirit nga 14 deri më 22 nëntor 1908, është një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Ky kongres u thirr për të unifikuar alfabetin e gjuhës shqipe, i cili deri në atë kohë përdorte disa alfabete të ndryshme, si ai arab, grek, latin dhe cirilik. Qëllimi kryesor i Kongresit ishte të krijohej një alfabet i vetëm, i thjeshtë dhe praktik për të gjithë shqiptarët, që do të ndihmonte në përhapjen e arsimit dhe zhvillimin e kulturës kombëtare. Ishte një hap kyç për bashkimin kulturor dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, sidomos në një kohë kur ata përballeshin me presione të mëdha nga Perandoria Osmane dhe fqinjët për asimilim.

Pjesëmarës në Kongresin e Manastirit ishin figura të shquara të historisë kombëtare shqiptare si Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Parashqevi Qiriazi e të tjerë. Në kongres u miratua përdorimi i dy alfabeteve: Alfabeti i Stambollit, që ishte një verzion i alfabetit latin me disa elemente të përshtatura dhe Alfabeti latin, i cili me vonë u bë alfabeti i standardizuar dhe i vetëm i gjuhës shqipe. Ky vendim pati një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi alfabeti latin u konsiderua si më i përshtatshëm për nevojat kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve. Është interesante të reflektohet mbi faktin sa të përparuar kanë qenë pjesëmarrësit e këtij kongresi që në ato kohëra të errëta dhe të pasigurta për gjithë rajonin, ata kanë qenë të vendosur të theksojnë identitetin evropian dhe pro-perëndimor të shqiptarëve, duke zgjedhur për përdorim alfabetin latin. Kjo përzgjedhje e ka shprehur edhe një herë në praktikë atë që Naim Frashëri me aq mjeshtri e ka thënë në mënyrë poetike “diell që lind andej nga perëndon”.

Kongresi i Manastirit është simbol i bashkimit dhe i përpjekjeve për ruajtjen e identitetit kombëtar. Sot, kjo ngjarje përkujtohet si një moment historik, dhe alfabeti i krijuar është një prej gurthemelëve të identitetit shqiptar.

Gjuha shqipe, përkrah flamurit tonë kombëtar është elementi kryesor identitar që na bashkon. Si element i rëndësishëm i identitetit kombëtar shqiptar, rregullimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ishte njëra ndër çështjet kyçe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në bazë të të cilës u shtuan gjithsej pesëmbëdhjetë amandamente në Kushtetutën e Maqedonisë të vitit 1991. Në bazë të amandamentit të V të Kushtetutës, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në këtë shtet. Rregullimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është bërë me dy ligje, atë të vitit 2008 dhe atë të vitit 2018 i cili e zgjeroi dukshëm përdorimin zyrtar të kësaj gjuhe. Tani Gjyakata Kushtetuese kërcënon të derogojë pjesë të këtij ligji duke i quajtur si kundërkushtetuese. Në ndërkohë, funksionarë të lartë shqiptarë, në kundërshtim të plotë me faktet që janë qartësisht të shkruara në Kushtetutë dhe në ligje, thonë se gjuha shqipe nuk ka qenë kurrë gjuhë zyrtare në këtë shtet duke relativizuar kështu arritjet e Marrëveshjes së Ohrit.

Gjuha shqipe është ai element identitar që duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë në bazë të politikave ditore partiake. Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit kanë pasur shumë arsye dhe pretekste të kundërshtojnë njëri tjetrin në shumë baza, por ata janë bashkuar me një qëllim të vetëm. Atë që e kanë bërë ata më shumë se një shekull më parë, duhet ta bëjmë praktikë të funksionimit tonë në ditët e sotme. Relativizimi dhe mohimi i arritjeve revolucionare të Marrëveshjes së Ohrit nuk i bën nder asnjë politikani shqiptar dhe asnjë shqiptari në përgjithësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit