Gjermani, janë anuluar 50 fluturime në aeroportin e Frankfurtit

Në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani janë anuluar 50 fluturime për shkak të protestës së aktivistëve të klimës, transmeton Anadolu.

Për shkak të protestës së aktivistëve të klimës, trafiku ajror në aeroportin e Frankfurtit u ndal përkohësisht, por ai rifilloi me vonesë pasi policia ndërhyri kundër aktivistëve.

Zëdhënësja e aeroportit tha se për shkak të aksionit janë anuluar 50 fluturime.

Në postimin në llogarinë X të grupit “Letzte Generation” (Brezi i Fundit) thuhet se “Vazhdimi i nxjerrjes dhe përdorimit të naftës, gazit dhe qymyrit është kërcënim për ekzistencën tonë. Ndaloni përdorimin e karburanteve fosile deri në vitin 2030”.

Policia tha se pas ndalimit dhe identifikimit të 8 aktivistëve, ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për ndërhyrje të rrezikshme në trafikun ajror dhe hyrje të paautorizuar.

Aktivistët e klimës paralizuan trafikun ajror në aeroportin Këlln-Bon për rreth 3 orë më 24 korrik. Mësohet se policia ka vendosur të rrisë sigurinë në të gjitha aeroportet për shkak të protestave që kanë zgjatur prej dy ditësh.

Gjermania