Gashi: Dezinformatat ruse po i shfrytëzojnë ndarjet ekzistuese në Kosovë

Drejtori Ekzekutiv i Sbunker-it, Fitim Gashi, ishte pjesë e panelit të organizuar nga Kallxo.com, i transmetuar të premten në RTV Dukagjini, ku u diskutua për rrjedhën, format dhe ndikimin e dezinformatave ruse në Kosovë, shkruan Sbunker.

Në këtë debat, ku të ftuar ishin edhe Muhamet Hajrullahu (Telegrafi.com), Melazim Koci (Gazetar) dhe Kreshnik Gashi (Kallxo.com), u trajtuan mënyrat se si këto narrativa ndërtohen dhe shpërndahen, si dhe për rrezikun që paraqesin ato për stabilitetin demokratik dhe sigurinë në vend.

Gashi theksoi se dezinformatat me origjinë ruse nuk shfaqen gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shpesh riciklohen përmes kanaleve rajonale dhe platformave sociale, duke u përshtatur me kontekstin lokal. Sipas tij, këto narrativa synojnë të thellojnë ndarjet etnike dhe politike, duke shfrytëzuar çështje të ndjeshme si dialogu Kosovë–Serbi dhe zhvillimet e sigurisë në veri të vendit.

Në panel u diskutua gjithashtu për rolin e platformave si Telegram dhe media të caktuara rajonale në amplifikimin e këtyre përmbajtjeve, duke krijuar një ekosistem ku është e vështirë të dallohen faktet nga manipulimet.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte ndikimi i këtyre dezinformatave në perceptimin publik dhe në besimin ndaj institucioneve. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rritjes së edukimit medial dhe forcimit të kapaciteteve të mediave dhe shoqërisë civile për të identifikuar dhe demaskuar dezinformatat.

 

Dezinformim - Dezinformatë - Lajm i rrejshëmDisinfohubKosovaSbunker