Frika më e madhe me të cilën përballen 40% e të rinjve në RMV është frika nga vetmia

Hulumtimi i cili është pjesë e Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor të të Rinjve, i përgatitur nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë (KRNM) tregon se 14% nga gjithsej 1.851 të rinj janë përballur me ndonjë problem shëndetësor ose probleme të shëndetit mendor, të tilla si ankthi dhe depresioni, shkruan Eu.mk, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e këtij hulumtimi tregojnë se frika më e madhe me të cilën përballen 40% e të rinjve në vendin tonë është vetmia, pas kësaj vjen frika nga refuzimi me 33% dhe frika nga izolimi nga miqtë me 27%.

Të dhënat e këtilla të Strategjisë Kombëtare për Shëndetin Mendor të të Rinjve 2024-2026 edhe një herë e aktualizuan çështjen e shëndetit mendor të të rinjve në vend, si një temë që u bë me një rëndësi të veçantë pas pandemisë së Covid-19.

Sipas Odës së Psikologëve të Maqedonisë, të rinjtë më së shumti e vizitojnë psikologun pikërisht për shkak të luftës me frikërat e tyre, por edhe për shkak të problemeve identitare, mungesës së motivimit, ankthit dhe sulmeve të panikut.

Nga Oda e Eurothink thonë se kujdesi për shëndetin mendor të të rinjve është prioritet për të cilin duhet të punojnë njësoj që të gjithë.

“Ne të rriturit duhet të bashkohemi të gjithë së bashku për kujdesin për shëndetin mendor të të rinjve: t’u japim atyre më shumë mundësi për t’u zhvilluar, për t’u rritur intelektualisht, për t’u kujdesur për rritjen dhe zhvillimin e tyre emocional përmes aktiviteteve dhe mundësive të shumta që u ofrohen, të ketë një trajnim të veçantë për prindërit se si të kujdesen për fëmijët e tyre, trajnim për mësimdhënësit për rolin e tyre në kujdesin për shëndetin mendor të nxënësve”, thonë nga Oda.

Nga atje sqarojnë se kujdesin për shëndetin mendor shteti duhet ta përfshijë në ligje dhe t’i harmonizojë ato, me qëllim që të jetë kështu më efektiv në zgjidhjen e këtij problemi.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit po planifikojnë aktivitete për përmirësimin e sigurisë, shëndetit mendor dhe mirëqenies së nxënësve. Krahas kësaj, në vitin 2024 u miratua një Plan Kombëtar për Shëndetin Mendor dhe Mirëqenien Psikosociale të Fëmijëve dhe Adoleshentëve, me të cilin është përfshirë edhe kujdesi shëndetësor, arsimi, shërbimet sociale dhe bashkëpunimi horizontal ndërsektorial.

“Është arritur një marrëveshje për koordinimin dhe shfrytëzimin e përbashkët të burimeve në dispozicion në formën e doracakëve dhe kuadrove të trajnuar në krijimin e aktiviteteve afatshkurtra dhe afatmesme për ta rikthyer besimin dhe ndjenjën e sigurisë në shkolla. Qëllimi është që të nxisim një bisedë të hapur dhe klimë të mbështetjes në shkolla, dhe atë në të gjitha nivelet, në mënyrë që të dëgjohen dhe të kuptohen nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe udhëheqësit”, thanë nga MASH për Eurothink.

Nga kjo ministri gjithashtu theksojnë se Byroja për Zhvillimin e Arsimit tashmë ka krijuar një rrjet për ofrimin e mbështetjes kolegiale në nivel të shkollave. Rreth 700 bashkëpunëtorë – profesionistë të shëndetit mendor nga të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme janë trajnuar sipas Programit të ri për asistencë dhe përkrahje psikosociale për promovimin e mirëqenies dhe shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve në institucionet dhe mjediset arsimore, shëndetësore dhe ato për përkujdesje.

“Ky rrjet i bashkëpunëtorëve profesionistë luan një rol udhëheqës në nivel të shkollave në zbatimin e aktiviteteve për promovimin e kompetencave socio-emocionale dhe përforcimin e qëndrueshmërisë psikologjike tek nxënësit dhe të rriturit”, shtojnë nga MASh.

Për atë se sa e rëndësishme është që të rinjtë të kujdesen për shëndetin e tyre mendor flasin edhe organizatat joqeveritare dhe shoqatat studentore në vendin tonë.

Nga Parlamenti Studentor Universitare në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” (PSU UKM) në Shkup për Eurothink sqaruan se kujdesi për shëndetin mendor për ta është prioriteti numër një.

Ata theksojnë se krahas punëtorive dhe eventeve që i organizojnë për t’i informuar studentët për rëndësinë e shëndetit mendor, ekziston edhe mundësia që studentët ta vizitojnë psikologun në kuadër të poliklinikës studentore.

“Çdo student mund ta vizitojë këtë shërbim për këshillim psikologjik, ku do të marrë mbështetje dhe këshilla profesionale. Ky është një përfitim i rëndësishëm për studentët, pasi e bën ndihmën lehtësisht të qasshme dhe e sjell më afër tyre”, thonë nga PSU UKM.

Nga atje shtojnë se me sigurimet shëndetësore përmes prindërve, nxënësit kanë qasje edhe në një numër të madh shërbimesh psikologjike të cilat mbulohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

“E rëndësishme është të theksohet se PSU UKM po punon vazhdimisht që studentët të informohen për këto mundësi, sepse kujdesi ndaj shëndetit mendor nuk duhet të jetë luks, por e drejtë e çdo të riu. Qëllimi ynë është që studentët ta dinë se kanë mbështetje dhe ta dinë se kanë ku të drejtohen kur kanë nevojë për ndihmë”, thanë nga PSU UKM.

Por, nga organizata joqeveritare “Të Rinjtë Munden” thonë se edhe pse prej vitesh flitet për rëndësinë e shëndetit mendor, vendit vazhdojnë t’i mungojnë burimet dhe mundësitë e mjaftueshme për kujdesin e duhur ndaj tij.

“Shërbimet për shëndetin mendor në kuadër të shëndetit publik ofrohen rrallë, ato privatet kushtojnë shumë në krahasim me standardin e të rinjve, por gjithsesi që kemi edhe mjedise ku të rinjtë nuk kanë aspak qasje në këtë lloj të shërbimeve shëndetësore. Ne duhet ta kuptojmë se përderisa flasim dhe përpiqemi të largojmë stigmën për shëndetin mendor, duhet njëkohësisht të ndërtojmë edhe një sistem dhe të ofrojmë burime për kujdes efektiv dhe në kohë për të dhe për mirëqenien e përgjithshme të të rinjve”, thonë nga “Të Rinjtë Munden”.

Nga atje theksojnë edhe se për të krijuar mjedise që e inkurajojnë kujdesin për shëndetin mendor të të rinjve duhet të ndërmerren disa hapa. Së pari, për ta tejkaluar stigmën që vazhdon të jetë e pranishme duke i informuar të rinjtë, por edhe publikun e gjerë, për rëndësinë e shëndetit mendor.

Pastaj, është e nevojshme të krijohen programe për shëndetin mendor në kuadër të sistemit arsimor, të krijohen shërbime për shëndetin mendor që do të jenë në dispozicion të të gjithë të rinjve, të zhvillohen programe preventive dhe për mbështetje për të rinjtë që vijnë nga mjedise të rrezikshme ose të cenueshme, si dhe shërbimet për shëndetin mendor të njihen si shërbime shëndetësore që do të mbulohen nga sigurimi shëndetësor i të rinjve.

Sa i përket nëse dhe në çfarë mase është e nevojshme që shërbimet për shëndetin mendor të njihen si shërbime shëndetësore dhe të prezantohet opsioni i psikologut amë apo familjar, qëndrim pozitiv kanë edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Oda e Psikologëve.

Psikologu Ivica Pavllov për Eurothink thotë se opsioni i një psikologu familjar do të ishte i dobishëm, pasi do të ofronte mbështetje të vazhdueshme për të rinjtë dhe njohjen dhe trajtimin në kohë të problemeve psikologjike.

“Ky opsion do ta bënte ndihmën psikologjike më të qasshme dhe do ta zvogëlonte stigmën që ka të bëjë me kërkimin e ndihmës.Shëndeti mendor tek të rinjtë është i rëndësishëm, sepse ata janë në një periudhë kritike të zhvillimit të tyre kur ndërtohet personaliteti, identiteti dhe aftësitë e tyre për t’u përballur me sfidat e jetës”, shpjegoi Ivica Pavllov.

Përndryshe, të dhënat statistikore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se në mbarë botën 1 në 7 të rinj të moshës nga 10 deri në 19 vjet përjeton ankth ose depresion. Depresioni, nga ana tjetër, është shkaku kryesor i zhvillimit të ndonjë sëmundjeje gjatë jetës.

Byroja për Zhvillimin e Arsimit RMV (BZHA)DepresioniFëmija/ëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Psikolog(e)Shëndeti mendorTë rinj - Rini - Rinia