Forcat policore përkohësisht bllokuan protestuesit, ka edhe qytetarë të lënduar, ndërkohë pengohet gazetari të raporton nga vendi i ngjarjes

Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”-Shkup kanë pranuar që vetëm institucionet shëndetësore t’i pastrojnë dhe të vazhdojnë me protestën e tyre në hapësirat e ndërmarrjes. Protesta e tyre ka vazhduar edhe sonte, tashmë me kërkesën për shkarkimin e drejtoreshës së kësaj ndërmarrjeje, transmeton Portalb.mk.

Me ndihmën e forcave policore protestuesit u mënjanuan, ashtu që kamionët e ndërmarrjes dolën nga oborri i Ndërmarrjes. Pas largimit të kamionëve, u larguan edhe forcat policore nga protestuesit, ndërkohë një protestues tashmë ka marrë lëndime trupore, për çka erdhi edhe ndihma e shpejtë. Ndërkohë, Policia vazhdon të pengon raportimin e gazetarit nga vendi i ngjarjes, duke shkaktuar presion të vazhdueshëm për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Më herët protestuesit kërkuan përsëri dorëheqjen e Drejtoreshës së Ndërmarrjes Komunale “Higjiena Komunale”, Kosana Mazneva, në momentin kur ajo i pyeti se a janë të gatshëm punëtorët të punojnë sonte. Pas pak, ajo urdhëroi disa persona të ngasin kamionët e ndërmarrjes për të kryer pastrimin e qytetit, derisa protestuesit qëndrojnë para dyerve të ulur dhe duke kërkuar “DORËHEQJE”.

Pastaj, punonjësit e policisë urdhëruan gjithë protestuesit që nuk janë të punësuar të largohen, përndryshe do të arrestohen, për çka Policia kërkoi ndihmë nga drejtoresha Mazneva për të identifikuar kush është i punësuar e kush jo.

Në Qytetin e Shkupit, prej orës 21:30 u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme e Shtabit të Krizës, ndërsa pas mbledhjes për media foli kryetarja e Qytetit, Danella Arsovska. Ajo protestën e vlerësoi “bllokadë mafioze”.

Ndryshe, punëtorët kanë vendosur që vetëm mbeturinat e spitaleve t’i mbledhin, duke përfshirë Spitalin e Qytetit, Qendrën Klinike, “8 Shtatorin”, “Bukureshtin”, “Kozlen” edhe institucionet tjera shëndetësore.

Në ndërkohë, nga Esnafët e Çarshisë së Shkupit na lajmëruan që me vet-iniciativë kryetari Bujar Dullovi ka marrë pjesë në pastrimin e një pjese të Çarshisë.

Ndryshe, problemet e shfaqura së fundmi në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në Shkup, kanë krijuar probleme në mjediset e këtij qyteti, për çka ka reaguar edhe Komuna e Aerodromit dhe ajo e Qendrës.

Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.

Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.

Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.

Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.

Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.

Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Danela Arsovska – DanellaFotografiHigjiena Komunale ShkupNdotja e tokës mbeturinaQyteti i Shkupit
Comments (2)
Add Comment