Filmi “Ninullë” u nderua me tre çmime në festivalin e filmit “Zuger Filmtage”

Në festivalin e filmit “Zuger Filmtage” mbrëmë u zhvillua Award Night ku u bë ndarja e çmimeve dhe u shfaqën të gjithë filma konkurrues në këtë festival të filmit, i cili kësaj radhe ishte edhe në kuadër të 100-vjetorit të kinemasë në Zug të Zvicrës. Pjesë e konkurrencës ishte edhe filmi “Ninullë” i regjisorit të ri Adrian Asllani. Në këtë mbrëmje filmi “Ninullë” u nderua me tre çmime, transmeton Portalb.mk.

Me çmimin e publikut për filmin më të mirë, me çmimin e kamerës më të mirë dhe me çmimin special të jurisë së të rinjve. Regjisori Adrian Asllani, gjatë marrjes së këtyre çmimeve falënderoi aktorin Avni Dalipi i cili ishte prezent në këtë event, për aktrimin e tij brilant në rolin kryesor, pastaj edhe gjithë stafin e xhirimit të filmit, për një punë të shkëlqyeshme ekipore.

Projekti i tij më i ri “Ninullë” është filmi i parë me metrazh të shkurtër horror/thriller kosovar, të cilin ai e ka shkruar, prodhuar dhe drejtuar. Me këtë film Adriani ka marrë pjesë edhe në festivalin e filmit “Prifilm Fest”, në Prishtinë.

Festival i filmitFilmaKulturë lajme