Filmi i ri i artistit dhe regjisorit kosovar Alban Muja, “Mua besoj më shpëtoi portreti (I Believe the Portrait Saved Me)”, pati mbrëmë premierën botërore në kuadër të seksionit prestigjioz Forum Expanded të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Berlinale, një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë kinematografike botërore, transmeton Portalb.mk.
Filmi ka shpalosur një copëz historie të Kosovës në edicionin e 75-të të festivalit dhe ka përkuar me 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Regjisori Alban Muja për Portalb.mk tha se filmi rrëfen tregimin e piktorit Skënder Muja i cili bashkë me qytetarë të tjerë mitrovicas, u ngujuan nga forcat serbe në një shkollë të Skenderajt të shndërruar në kamp ndalimi në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. Një reflektim i mbijetesës dhe qëndresës në relacion me fuqinë e artit për t’i arritur dy të parat.
“Film flet për një ngjarje gjatë luftës në Kosovë, ku babi dhe shumë burra nga Mitrovica ishin marrë peng, në tentim ikje nga Kosova dhe i kishin mbyllur në një shkollë të shndërruar në një qendër paraburgimi dhe maltretimi. Një ditë pasi një komandant kupton që babi është piktorë e sfidon nëse mundet ti bëjë një portret në dërrasën e zezë të shkollës. Po e punojë do shpëtojë, nëse jo, atëherë asgjë nuk do i garanton. Filmi flet për këto portrete 25 viteve më vonë, i cili ripunohet nga babai i cili beson, që ky portret mund të ketë shpëtuar atij dhe të tjerëve të marrë peng”, tha Muja.
Se sa kanë arritur që ta shpalosin në film historinë e Kosovës dhe sa ju ka sjellë emocione publikut Muja edhe më tej shtoi:
“Po, besoj që duhet mu nisë nga fakt që flet për një ngjarje të vërtetë dhe sillet një memorie 25 vite pas, gjithsësi besoj, që një ngjarje e tillë ju sjell publikut emocion”.
I biri i protagonistit të filmit, njëherësh artisti konceptual e regjisori Alban Muja, pas premierës ka thënë se ideja është që filmi të shihet sa më shumë dhe kjo histori të tregohet sa më shumë.
“Historia vjen 25 vjet pas luftës dhe pasi ne nuk kemi arkiva që tregojnë të kaluarën, është mirë të punohet në projekte që ndajnë informata me të tjerët e po ashtu edhe eksperiencat tona si artistë, si familje e si shoqëri”, ka thënë Muja.