Sot (11 dhjetor) në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, nis edicioni i 5-të i “Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur”, transmeton Portalb.mk.
Edicioni i sivjetmë pritet të sjellë mbi 2 mijë tituj librash të vjetër e të rrallë, duke përfshirë edhe fjalorin “Frëngjisht-Osmanisht” të Sami Frashërit.
Në kuadër të këtij edicioni janë planifikuar të mbahen edhe përurime të librave, bashkëbisedime me shkrimtarë, orë letrare e punëtori për restaurimin e librave të dëmtuar. Berat Dakaj, koordinator i aktiviteteve të panairit, për Portalb.mk tha se për shkak të hapësirës së pamjaftueshme, këtë vit do të ketë më pak libra të ekspozuar se sa vitin e kaluar.
“Sivjet, për dallim nga edicionet e kaluara, të cilat i kemi organizuar në sheshet kryesore të Prishtinës, e në të cilat kemi pasur hapësirë shumë më të madhe për ekspozim të librave të vjetër dhe të rrallë, kemi hapësirë më të vogël, por qëllimin e kemi t’i paraqesim botimet më të vjetra që i kemi ne si organizatorë dhe që i kanë koleksionuesit e librave antikuarë. Përafërsisht do të ekspozohen 2 000 tituj të librave”, tha Dakaj.
Se çfarë aktivitete kanë paraparë gjatë ditëve të panairit Dakaj tha:
“Gjatë tri ditëve të panairit i kemi edhe disa aktivitete mbështetëse, kryesisht përurime të veprave, librave dhe bashkëbisedime me krijues dhe lexues. Në ditën e parë të panairit do të përurojmë veprën “Vetëm me vetminë” të Bedri Zyberajt dhe do të bashkëbisedojmë me shkrimtarin dhe studiuesin Bajram Kosumi për krijimtarinë letrare dhe studimore. Në ditën e dytë, po ashtu, kemi një bashkëbisedim me studiuesin dhe poetin Agim Vinca. Ndërkaq në ditën e tretë dhe të fundit, në orën 12:00 bashkëbisedim dhe përurim të dy përmbledhjeve me drama të autorit Fadil Hysaj, kurse me fillim nga ora 14:00 bashkëbisedim dhe përurim të librit “Shekulli XX” të publicistit dhe studiuesit Agron Shala”, tha Dakaj.
Dakaj tha se do të paraqesin një numër të madh të librave të vjetër.
“Në këtë panair do të prezantohen libra që kanë më shumë se 150, 100 dhe 80 vjet moshë. Po të kishim hapësirë do t’i paraqitnim 6 000 tituj të librit shqip dhe në gjuhë të tjera”, tha Dakaj.
Dakaj tha se e kanë në plan që në të ardhmen të bëjnë një panair shëtitor.
“Nëse e matim me numër të vizitorëve nga vitet e mëparshme, interesimi i tyre ka qenë i madh. Vizitorët na kanë kërkuar ta organizojmë dy e tri herë në vit. Dhe ndoshta do ta organizojmë dy herë, por jo dy herë në vit në Prishtinë. Kemi plan që në të ardhmen të bëjmë një panair shëtitor varësisht edhe prej aktiviteteve që organizojnë komunat e Kosovës për ditët e tyre të çlirimit. Për shembull, një vit ta organizojmë në Pejë, vitin tjetër në Prizren, në Gjilan, Ferizaj e në qytete të tjera të Kosovës e, në rast të ndonjë bashkëpunimi kombëtar, edhe në qytete të Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut”, tha Dakaj.
Se sa lexohet pavarësisht prej këtyre aktiviteteve të librit gjithandej trojeve shqiptare?
“Unë nuk kam bërë ndonjë anketë për lexim, por i kam lexuar anketat që i kanë bërë disa organizata në Kosovë dhe Shqipëri dhe të anketuarit, pjesa më e madhe e tyre, janë përgjigjur se prej 365 ditëve të vitit, nuk lexojnë një libër. Më keq, për librin, s’ka si të përgjigjet njeriu”, theksoi Dakaj.