Sot (7 mars 2026) në Shkup u vendos gurthemeli i kampusit të ri modern të Universitetit “Nënë Tereza” një projekt që sipas Qeverisë përfaqëson një investim strategjik në zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se me këtë projekt konfirmohet përkushtimi i qeverisë për të investuar në dituri, te të rinjtë dhe në zhvillimin e arsimit të lartë, transmeton Portalb.mk.
Në fjalimin e tij, Mickoski tha se, “vizioni ynë është i qartë – arsimit duhet të jetë themel i zhvillimit të shtetit”. Ai shtoi se, nuk ka ekonomi të fortë pa universitete të forta dhe nuk ka shtet modern pa rini të arsimuar dhe të motivuar.
“Ky projekt përfaqëson një investim strategjik në të ardhmen e shtetit. Një investim që do të krijojë kushte bashkëkohore për arsim, punë shkencore dhe zhvillim akademik. Qeveria ka marrë vendim me të cilin janë siguruar gjithsej 42 milionë euro për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm. Prej tyre, 40 milionë euro janë të dedikuara për ndërtimin e objekteve, ndërsa rreth 2 milionë euro për mbikëqyrjen e ndërtimit, me qëllim që i gjithë procesi të realizohet në mënyrë profesionale, cilësore dhe transparente”, theksoi Mickoski.
Në fjalimin e saj para të pranishmëve, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska theksoi se ky investim është i rëndësishëm për përshpejtimin e zhvillimit të universitetit më të ri shtetëror dhe është plotësisht i arsyeshëm, duke pasur parasysh se edhe të gjitha universitetet e tjera shtetërore në kohën e themelimit dhe gjatë zhvillimit të tyre kanë përfituar mbështetje nga shteti.
“Uroj fillim të suksesshëm dhe realizim të investimit brenda afatit të paraparë në dokumentacionin projektues dhe planifikues – që për rreth 5 vjet nga tani, përkatësisht në vitin 2030, në këtë vend të kemi kampus modern universitar, ku nuk do të vihet në pikëpyetje nëse është e mundur përmbushja e dispozitave të rregullores së re ligjore për arsimin e lartë dhe shkencën, e cila aktualisht është lëndë e debatit më të gjerë publik. Pikërisht kuadri mësimor-shkencor do të ketë të gjitha kushtet e domosdoshme për krijimtari shkencore, për zhvillimin e mësimdhënie efektive dhe për avancim në karrierë, ndërsa studentët për zhvillimin e potencialit të tyre personal, njerëzor dhe akademik”, theksoi Janevska.
Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se, ky kampus do të jetë një hapësirë moderne akademike për studentët dhe profesorët, një investim i madh në arsim, në rini dhe në të ardhmen e vendit.
“Këtu shumë shpejt këtu do të ngrihet një qendër e re dijes që do të krijojë mundësi të reja për mësim, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional. Duke ndërtuar universitete të fuqishme, ne ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë. VLEN-i dhe kjo qeveri dëshmon me vepër se arsimin e ka ndër prioritetet më të larta të angazhimit dhe investimit të saj”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se, lampusi i ri universitar do të ndërtohet sipas standardeve moderne dhe do të ofrojë kushte bashkëkohore për studim, kërkim shkencor dhe zhvillim akademik.
“Vendosja e gurthemeleve të këtij kampusi është një moment historik për arsimin shqip. Investimet në arsim janë investimet më të rëndësishme për të ardhmen e një kombi, sepse aty ku ndërtohen universitete ndërtohet fuqia intelektuale, akademike dhe profesionale e shoqërisë,” theksoi Mexhiti.
Kampusi i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 31 mijë metrash katrorë dhe do të përbëjë një kompleks akademik modern, me objekte bashkëkohore, amfiteatro, hapësira për studentë, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë që do t’u përgjigjet nevojave të arsimit të lartë modern.
Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 16 shtatorit 2025 miratoi vendimin që parcela e cila më parë i takonte kazermës së Armatës, t’i bartet në pronësi të përhershme Universitetit “Nënë Tereza”. Me këtë u hape rruga për dhënien e lejes për ndërtim të kampusit të këtij Universiteti.
Ish-zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, pati premtuar 40 milionë euro investime për kampusin e ri universitar, por ky buxhet nuk figuron në propozim-buxhetin e vitit 2026-të.
Kujtojmë se, prej kohës kur ministër i arsimit dhe shkencës ishte tashmë i ndjeri Abdilaqim Ademi, u premtua se do të ndërtohet objekti për Universitetin e Tetovës-Studimet e disperzuara në Shkup. Por, pas mbylljes së këtyre drejtimeve, u premtua se vendi dhe objekti do të ndërtohet për interesat e universitetit të ri në Shkup, Universitetit “Nënë Tereza”.
- LEXO: Zvarritet fillimi i punimeve për kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”, procesi ende në letra
- LEXO: Universiteti “Nënë Tereza” reagoi në lidhje me buxhetin e planifikuar për ndërtimin e kampusit
- LEXO: Qeveria e RMV-së miratoi vendimin me të cilin parcela e kazermës së Armatës do t’i jepet Universitetit Nënë Tereza