Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazaniz, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, u bëri thirrje besimtarëve që Ramazani të shfrytëzohet për pendim të sinqertë, falje dhe mirëkuptim mes njerëzve, duke vendosur sinqeritetin dhe përgjegjësinë si bazë të veprimeve. Ai dërgoi lutje që ky muaj të pastronte zemrat, të forconte besimin dhe të rritej morali i secilit, transmeton Portalb.mk.
“Le ta fillojmë këtë Ramazan me vendosmëri për ndryshim të vërtetë. Le ta përdorim këtë muaj për pajtim me Allahun përmes pendimit të sinqertë dhe për pajtim me njëri-tjetrin përmes faljes dhe mirëkuptimit. Le ta bëjmë sinqeritetin themel të çdo veprimi dhe përgjegjësinë kriter të çdo vendimi. Lusim Allahun e Madhëruar që ky Ramazan të jetë muaj pastrimi të zemrave, forcimi të besimit dhe ngritjeje morale për secilin prej nesh”, deklaroi Shaqir Fetahu, Kryetar i BFI-së.
Sonte, në perëndim të diellit, fillon Ramazani, muaji i agjërimit. Dita e parë e agjërimit është të enjten më 19 shkurt, ndërsa namazi i parë i taravisë do të jetë sonte, më 18 shkurt. Pas përfundimit të Ramazanit, Bajrami i Fitrit është të premten më 20 mars.
Agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga shtyllat e Islamit dhe një obligim për çdo burrë dhe grua myslimane të rritur, nga agimi deri në perëndim të diellit. Ramazani është muaji i nëntë në kalendarin islamik. Në atë muaj filloi shpallja e Kuranit, në natën e bekuar të Kadrit.