Festivali i Parkut rikthehet me edicionin e tetë në Gostivar, ky është programi

Edicioni i tetë i “The Park Music Festival” do të mbahet nga 28 deri më 30 korrik 2026 në Parkun e Qytetit në Gostivar. Organizatorët paralajmërojnë tri net me muzikë, aktivitete kulturore dhe program për të gjitha grupmoshat, shkruan Portalb.mk.

Jeton Veseli nga “The Park Festival”, në një prononcim për Portalb.mk, tha se edicioni i këtij viti do të sjellë disa prej emrave më të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe rajonale.

“Ky edicion i The Park Festival do të jetë padyshim një nga më të veçantët që kemi realizuar ndonjëherë. Më 28 korrik sjellim një ekskluzivitet të rrallë: për herë të parë në skenën tonë, Noizy do të performojë live me bend. Për ata që e ndjekin skenën, performancat e tij me instrumentistë janë jashtëzakonisht të rralla dhe numërohen me gishtat e dorës. Jemi shumë të lumtur që ai pranoi ftesën tonë për të dhuruar një show energjik prej 60 minutash. Skenës sonë i bashkohet edhe diva e pop-it, Dhurata Dora, e cila rikthehet fuqishëm me projektet e saj më të reja që po thyejnë rekorde, duke i sjellë ato live para publikut të Gostivarit. Po ashtu, rikthehet Lumi B, një artist që tashmë e ka kaluar me sukses ‘provën’ në festivalin tonë dhe njihet për energjinë e jashtëzakonshme që përcjell në publik. Si gjithmonë, tradita jonë për të mbështetur talentet lokale vazhdon; këtë vit jemi krenarë të prezantojmë artistët e rinj si Rilind Alimani dhe Era, të cilët po gëzojnë një popullaritet të madh dhe premtojnë shumë për të ardhmen. Po ashtu, për ta çuar energjinë në një tjetër nivel, line-up-it i bashkohet edhe Guapo, si dhe dy nga emrat më dinamikë të jetës së natës dhe klubeve, DJ Ginger dhe DJ Nikk. Më 29 korrik, festivali merr një dimension tjetër artistik dhe plot shije. Publikut do t’i ofrohet një eksperiencë e veçantë e muzikës jazz nga maestro Toni Kitanovski-Interstellar Transmission, DJ Redon Robi dhe Agon Distortion, duke krijuar një fuzion muzikor që rrallëherë dëgjohet në hapësira të tilla të hapura”, tha Veseli.

Ai shtoi se, ajo që e bën këtë festival të veçantë është pikërisht lokacioni ku mbahet.

“Ajo që e bën The Park Festival plotësisht ndryshe nga çdo ngjarje tjetër verore është lokacioni unik. Parku i qytetit të Gostivarit nuk është thjesht një vend takimi; ai krijon një hapësirë ku publiku rrethohet nga natyra, me një skenë që të jep ndjesinë e një hapësire të pafundme dhe të lirë. Ky pasion përkthehet në një eksperiencë unike për publikun. Parku i qytetit të Gostivarit ofron diçka që asnjë sallë apo shesh nuk e zëvendëson dot: një ndjesi lirie, ku drunjtë dhe natyra rrethojnë skenën, duke krijuar përshtypjen e një hapësire pa kufij. Kjo atmosferë intime por edhe madhështore në të njëjtën kohë, është ajo që nuk gjendet diku tjetër dhe e bën të veçantë këtë festival”, tha Veseli.

The Park Music Festival. Foto: Jeton Veseli

Duke folur për mbështetjen financiare, Veseli theksoi se rrugëtimi i festivalit nuk ka qenë i lehtë, ndërsa pjesa më e madhe e organizimit sot mbulohet nga “Inbox Entertainment”.

“Rrugëtimi financiar i The Park Festival ka qenë plot sfida. Ideja ka lindur në vitin 2010, por u deshën tetë vite që të gjenim mbështetjen e parë. Në vitin 2018, Ministria e Kulturës, asokohe e drejtuar nga ministri Asaf Ademi, besoi tek ky vizion, gjë që solli edhe jetësimin e projektit, i cili asokohe u vlerësua si një nga ngjarjet më të suksesshme kulturore në vend. Fatkeqësisht, vitet e fundit mbështetja nga Ministria e Kulturës është reduktuar ndjeshëm. Sot, festivali mbulohet nga kompania jonë Inbox Entertainment me rreth 80%, ndërsa pjesa tjetër plotësohet nga sponsorët privatë, Komuna e Gostivarit dhe fondet minimale institucionale. Për shkak të këtij realiteti, jemi të detyruar ta orientojmë festivalin drejt një formati më komercial, thjesht për të garantuar ekzistencën e tij. Megjithatë, ne kemi një parim: atë mbështetje të vogël që marrim nga institucionet vendase, e alokojmë tërësisht në aktivitete kulturore jo-fitimprurëse, vetëm e vetëm që t’u ofrojmë artdashësve tanë një vlerë ndryshe dhe të pastër artistike”, deklaroi ai.

Përveç muzikës, festivali do të ketë edhe aktivitete për familje dhe fëmijë. Dita e 30 korrikut do t’u kushtohet më të vegjëlve, me lojëra edukative, animatorë dhe pika artistike.

“The Park Festival ka kapërcyer formatin e një festivali thjesht muzikor; ai është një platformë kulturore. Përveç netëve dinamike me artistët tanë kryesorë, programi ynë përfshin aktivitete që integrojnë të gjitha grupmoshat, me fokus të veçantë te familjet. Dita e 30 korrikut do të jetë ‘Dita e Fëmijëve’. Nga ora 19:00, kemi kuruar një hapësirë plot gjallëri me lojëra edukative e argëtuese, animatorë dhe pika artistike ku do të prezantohen talentë të rinj në muzikë dhe art. Qëllimi ynë është të krijojmë një ambient të sigurt, frymëzues dhe argëtues ku arti dhe natyra bëhen të aksesueshme për më të vegjlit, duke i dhënë festivalit një dimension të plotë social”, u shpreh ai.

Në fund, Veseli ftoi publikun që nga 28 deri më 30 korrik të jetë pjesë e festivalit në Gostivar.

“Mesazhi im është i thjeshtë: Mos e humbni këtë eksperiencë! The Park Festival tashmë ka kapërcyer kufijtë e Gostivarit. Çdo vit ne mirëpresim qindra vizitorë nga qytetet fqinje, por edhe shumë bashkatdhetarë e mysafirë nga jashtë vendit. Kush ka qenë pjesë e edicioneve tona e di mirë se ne nuk bëjmë kompromis me dy gjëra: mikpritjen dhe sigurinë e lartë. Kjo na ka ndihmuar të ndërtojmë një ambient të ngrohtë e familjar, ku numri i vizitorëve rritet vit pas viti. Këtë vit, interesi është i jashtëzakonshëm, këtë e shohim që tani nga ritmi i shpejtë i shitjes së biletave që nga dita e parë. Gostivari më 28 korrik do të jetë kryeqendra e energjisë dhe kujtimeve të bukura. Ju premtoj se ky edicion do të jetë ai që do të mbahet mend për një kohë shumë të gjatë. Ju presim të gjithëve në The Park Festival”, deklaroi Jeton Veseli.

The Park Music Festival. Foto: Jeton Veseli
GostivariKoncertKultura shqiptareKulturë lajmeThe Park Festival