Fermerët grekë mesditën e nesërme do të protestojnë në pikën kufitare “Evzoni”, trafiku do të jetë i bllokuar  

Fermerët grekë paralajmërojnë se bllokada, si çdo mbrëmje, do të ketë edhe sonte nga ora 19:00 deri në 21:00, me orën e Maqedonisë së Veriut. Por nëse është e nevojshme të lirohet trafiku që të mos krijohen radhë, si zakonisht, sonte do të hapet vendkalimi për një periudhë për të kaluar automjetet, njofton MIA, transmeton Portalb.mk.

Për nesër në mesditë, fermerët nga pjesa veriore e Greqisë, paralajmëruan se do të ketë protestë në pikën kufitare “Evzoni” me Maqedoninë e Veriut dhe se trafiku do të jetë i bllokuar.

Ditët e kaluara, pas protestës së gjithë fermerëve të martën në Athinë, ata nga veriu i Greqisë mbeten ende më aktivët dhe çdo ditë, midis orës 20.00 dhe 22:00 me orën lokale, gjegjësisht ndërmjet orës 19:00 dhe 21:00, sipas orës së Maqedonisë, e mbyllin pikën kufitare “Evzoni”.

Kryetari i shoqatës bujqësore nga zona e Peonisë, Thomas Karipidis, i cili në të njëjtën kohë i udhëheq edhe aktivitetet në pikën kufitare, thotë se aktualisht në “Evzoni” janë të parkuara rreth 100 traktorë dhe tregon detaje për protestën e nesërme.

“Nesër në pikën kufitare ‘Evzoni’ do të mbahet një takim i madh bujqësor me pjesëmarrjen e blloqeve aktive nga zona e Maqedonisë qendrore, por do të vijnë edhe të tjerë, nga më larg. Do të fillojë rreth orës 13:30 dhe do të përfundojë në varësi me atë se sa fjalime do të ketë, nuk kemi një kohë të caktuar se kur do të përfundojë, por me siguri do të zgjasë dy-tre orë.” thotë Karipidis në një bisedë me korrespondentin e MIA-së së Athinës.

“Sigurisht që kalimi kufitar do të jetë i mbyllur, do të ketë shumë njerëz, do të ketë pjesëmarrje të madhe me automjete bujqësore” shtoi kryetari i shoqatës bujqësore, duke sqaruar se bllokada do të zgjasë deri sa të përfundojë protesta.

Fermerët prej më shumë se një muaji kërkojnë nga qeveria plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre në lidhje me rritjen e kostove të prodhimit, ndërkaq edhe pse dhjetë ditë më parë ishte paralajmëruar masa shtesë në takimin me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, ata shprehën pakënaqësi dhe vazhduan aktivitetet e tyre, të cilat kulmuan me protestën e madhe në Athinë.

AthinaBujqësi - Bujk - FermerëGreqiaKufiri RMV-GreqiProtesta