FBI identifikoi të dyshuarin për atentatin kundër Trumpit

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) ka identifikuar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park i Pensilvanisë si subjektin e përfshirë në atentatin kundër ish-presidentit amerikan, Doanld Trump, raporton Radio Evropa e Lirë.

FBI-ja tha më 14 korrik se hetimi për këtë çështje është duke vazhduar.

Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Trump, është jashtë rrezikut për jetë pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa ai fliste në një tubim në Pensivlani më 13 korrik.

Shërbimi Sekret amerikan tha se një person, që ishte në audiencë, është vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

Agjentët e kanë vrarë sulmuesin në vendngjarje, bëri të ditur Shërbimi Sekret amerikan.

Trump tha se u qëllua me një plumb që i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

“E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.

Me të dëgjuar të shtënat, agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën ish-presidentin amerikan nga skena dhe e larguan me një automjet që e priste.

Shërbimi Sekret amerikan tha se po heton se si sulmuesi, i armatosur me një pushkë të stilit automatik mundi që të afrohej mjaftueshëm sa për të shtënë dhe për të plagosur Trumpin.

Sulmuesi, që u vra nga agjentët, qëlloi disa plumba drejt skenës “nga një pozicion i lartë jashtë vendit ku u mbajt tubimi”, tha Shërbimi Sekret.

Agjencia Associated Press ka analizuar videot dhe fotografitë e realizuara gjatë tubimit, por edhe imazhet satelitore të vendit ku u mbajt tubimi. Sipas analizimit të këtyre materialeve, sulmuesi ishte në gjendje të afrohej shumë afër skenës ku po fliste ish-presidenti.

Çatia, prej ku besohet se ai sulmoi presidentin, ishte më pak se 150 metra nga skena ku po fliste Trumpi.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë bërë publik motivin e këtij atentati.

Trump, që u pa i gjakosur teksa u largua nga skena, mori mjekim në Pensilvani, para se të nisej në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.

Liderët nga e mbarë bota kanë dënuar fuqishëm tentim-vrasjen ndaj Trumpit.

Të shtënat në Pensilvani ndodhën vetëm dy ditë pare se të nisë Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, ku Trump, 78 vjeç, pritet të siurojë nominimin e partisë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Donald Tramp (Trump) JRShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)Tentim vrasjeVrasje - Ekzekutim