Evropa Qendrore vazhdon të luftojë me shira e përmbytje (VIDEO)

Banorët dhe autoritetet në Evropën Qendrore vazhdojnë të luftojnë me reshje të dendura shiu dhe përmbytje, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në Rumani, zyrtarët thanë se së paku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur.

Në Austri, një zjarrfikës vdiq gjatë një operacioni të shpëtimit.

Në Poloni u raportua, po ashtu, një viktimë nga mbytja, ndërsa në Republikën Çeke katër persona janë të zhdukur.

Provinca austriake që rrethon Vjenën, u shpall “zonë fatkeqësie”, ndërsa kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, shpalli gjithashtu gjendje të fatkeqësisë natyrore.

Lidhjet e trenave midis Polonisë dhe Republikës Çeke u pezulluan.

Në Çeki, rreth 250.000 familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava.

Instituti Kombëtar i Hidrologjisë dhe Menaxhimit të Ujit në Rumani lëshoi alarmin e kuq për qarqet Galati dhe Vaslui, ku përmbytjet në disa zona ishin 3 metra të thella.

Parashikimet janë që shirat dhe erërat e forta që nisën qysh në fund të javës së kaluar, të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë.

EvropaPërmbytje - Vërshime