Euro 2024 po shkon dalëngadalë drejt fundit, ndërsa jemi në pikën më kulminante të kompeticionit, aty ku këtë të shtunë luhen dy çerekfinalet e radhës. Anglia përballet me Zvicrën, ndërsa Turqia me Holandën, ndërsa në dispozicion janë dy bileta për fazën pasardhëse, transmeton euronews.al.
Helvetët e udhëhequr nga mesfushori Granit Xhaka apo dhe emra si Ndoye, Shaqiri e Embolo do të provojnë të surprizojë 3 luanët, të cilët deri më tani nuk e kanë fituar asnjëherë këtë kompeticion.
Britanikët janë favoritë të padiskutueshëm, ndërsa në të shkuarën kanë fituar plot 22 duele, nga 31 të luajtura, me 3 triumfe helvete dhe 6 barazime. Përballja e fundit është ajo e vitit 2022, e mbyllur në shifrat 2-1 në favor të Anglisë.
Në mbrëmje do të konfirmohet dhe skuadra e fundit gjysmëfinaliste, aty ku Holanda sfidohet nga Turqia. Këta të fundit janë surpriza e këtij edicioni, por testi i radhës është tejet i vështirë. Në 5 duelet e fundit mes tyre, secila ka nga 2 fitore, me një përballje e mbyllur në barazim. Ndeshja e fundit është mbyllur nga tulipanët në një fitore të thellë 6-1 me Depay që realizonte një tripletë.