Autoritetet polake rrëzuan një dron që fluturonte mbi lokacionet kryesore qeveritare në Varshavë mbrëmë, duke arrestuar dy qytetarë bjellorusë, shkruan Meta.mk.
Siç shkroi kryeministri polak Donald Tusk në rrjetin social X, Shërbimi i Sigurisë Shtetërore neutralizoi dronin që po fluturonte mbi zonën mbi ndërtesat qeveritare në Rrugën Parkow, si dhe Pallatin Belvedere aty pranë. Dy bjellorusë u arrestuan dhe autoritetet polake kanë nisur hetim për rastin.
Incidenti vjen më pak se një javë pasi 19 dronë rusë u rrëzuan nga ushtria polake pranë kufirit me Ukrainën. U përshkrua si incidenti më serioz që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më shumë se 3 vjet më parë.
Rusia mohoi se dronët e saj shkelën hapësirën ajrore të NATO-s. Por NATO megjithatë ka nisur një operacion të madh për të përforcuar krahun lindor të aleancës, të quajtur “Roja Lindore”, që përfshin zhvendosjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake.
Në Poloni, ekziston shqetësimi se konflikti nga Ukraina mund të përhapet dhe kërkesat po rriten për mbylljen e qiellit ukrainas, ose që Aleanca e Atlantikut të Veriut të sigurojë qiellin mbi Ukrainën.
Sipas burimeve zyrtare ruse, një hap i tillë do të thoshte fillimi de facto i një lufte midis Rusisë dhe NATO-s. Në të njëjtën kohë, Rusia dhe Bjellorusia po zhvillojnë stërvitje ushtarake pranë Minskut.