Ese mbi kacagjelimet shqiptare

Frika nga liria. Diku në agun e shekullit XX, kur u vu themeli i gjysëmshtetit shqiptar, Fatalistit i shpëtoi goja dhe tha: “Ta ruajë Zoti nga shqiptarët!” Dhe pati të drejtë, sepse, shqiptarëve, të mësuar nën llostin e të tjerëve, u hyri lepuri në bark nga frika e jetës në liri dhe që të nesërmen i grahën fragmentarizimit të vetvetes.

Sot, në vigjilje të mileniumit të ri, gjërat kanë ndry­shuar pamjen, por shqiptarët duket se i mbeten besnikë historisë, me tërë atë energji negative të kthyer nga vetvetja…

Absurde! E famshmja Panta rei (Gjithçka ndryshon) e Heraklitit, e thënë para 2500 vitesh, nuk vlen për mendësinë shqiptare, madje, as pas gjakut të derdhur rrëke, tmerreve e shkatërrimeve të papara, as në kohën kur liria (ajo e mirë­fillta: jashtë çadrave të huaja) është më afër se kurrë. Perënditë shqiptare nuk mbushen mend dhe nuk kanë kurajë qytetare t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit, për t’i prirë kësisoj të bashkuar popullit, për t’mos ia bërë firë buletën e mbrame të trenit që shpie përtej Zullulandit.

Absurde edhe një herë! Shqiptarët e çliruar nga thundra serbe, s’po çlirohen akoma nga djerrinat, inatet, xhelozitë, sedrat e prijësve të tyre; s’po çlirohet nga misti­cizmi politik i dioqezave partiake, nga humbellat dhe bene­vrekët e plutokracisë.

Ndërkaq, i ngushtë është kapixhiku ku përfundon yrishi i pakokë drejt fronit mbretëror, ku, sot për sot, ka vend veç për sovranin tonë të natyrshëm – Vilhelm Vidin.

Gjendjes së re, as rob – as i lirë, i ndihmojnë me të madhe politikat shqiptare, që nuk është punë t’u përshtaten situatave. Në këtë zallahi të mendjes infertile, a thua, na duhet një Edmondo De Amiçis, për t’i zbritur mes njerëzish të thjeshtë Zeusët e Shqiptarisë, sa për t’thyer pak brirët e madhështisë së tepërt.

Koha nuk do jetë përjetësisht aleati ynë. Më 1912, fillimisht e bëmë një copë Shqipërie, pastaj pyetëm: Si ta bëjmë shqiptarin?, ndërkaq sot, më parë duhet ta bëjmë vetveten, nëse e duam pjesën tjetër shqiptare – Koso­vën. Shi për këtë, duhet flakur tutje telepatitë e Nostradamusëve; duhet braktisur idenë e kalërimit dhe akrobacioneve te pari­parueshme politike mbi shpinën e popullit; duhet kapur me domosdo të vërtetën, sot dhe këtu, për t’mos na identifikuar më bota me pulën qorre që zë kokrën e misrit me rastësi; me ata që kanë ndezje të vonshme gjatë perceptimit të havasë; me ata që, edhe kur i ndjejnë të vërtetat dhe fërkimet e kokave me akull, nuk mësojnë gjë nga dështimet, po zhyten sërish në të njëjtën llofkë, me stil të ri huxhumi.

Lufta e gjelave. Sabri Hamiti ka një varg të hidhur që na rri knap: “Përsëritja përsëritet përsëri”. Motivin e tij duhet kërkuar në mënyrën origjinale të mësimit të historisë, të cilën vazhdi­misht e shfrytëzojmë për ta problematizuar të sotmen. Ja! Para hundëve tona luhen të njëjtat drama të teatrit politik, si edhe shekuj e dekada më parë, por ne nuk u kushtojmë as një minutë vëmendje, duke rrezikuar vetëdijshëm tërë të nesërmen për to, tok me pyetjen kronike: përse ngatërrohemi aq unikatshëm rrjetave të historisë?

Vaji i arsyetuar me të kollajshmen: na e bën tjetri është karakteristikë e pështjellimit  të mendjes sonë. Duhet ta kuptojmë një herë e mirë: tjetri e ka për detyrë t’na e  bëjë sa herë që na zë në gjum dhe sa herë i japim shkasin të bëjë sehir betejën groteske të gjelave të ngrefosur e të kapardisur për bedat.

Na e kanë bërë pra, dem baba dem, po atë që i bëmë vetes s’na e bëri kush, ani se neve na pëlqen të bëjmë bajram me mendjen dhe të krenohemi rrejshëm se jemi etni imune ndaj luftërave vëllavrasëse. Rrenë! Historia shqiptare është përplot luftëra tragjikomike të bëra me vetveten. Luftëra të mëdha ndoshta jo, ama të vogla plot. Vetëm pranverës së 1997-ës shqiptarët u vetasgjësuan me qindra, po midelinjtë tuten t’i vënë kësaj ngjarjeje të turpshme emrin e vërtetë – luftë qytetare, që për kokat racionale nuk ka brirë, ndërkohë që më e arsyeshme është frika nga moratoriumi i të vërtetës dhe disponimi i ngërdhucur që fshihet pas mantelit të sallamadisë aktuale.

Historia groteske. Si thoni, a nuk është stina për t’përpushur pak më detajisht vetveten, ashtu siç vepruan rilindësit tanë, që rikrijuan Shqipërinë nga hiri i zjarreve të epopesë Skënderbejane? Ata e bënë këtë n’epo­kën e feudalizmit filistin të tipit shqiptar, n’epokën kur venave tona, në vend të gjakut, vrujonte salepi sentimental për Baba Dovletin, duke rrezikuar kësisoj jetët e tyre.

Njohja me atë që thanë dhe shkruajtën rilindësit tanë më realistë të bën të vajtosh me qemane. Ata u përpoqën të mënjanojnë, me aq sa kishin mundësi, të gjitha pengesat që qëndronin në udhën e ardhmërisë sonë. Po, mjerisht, shumica e tyre vdiqën të dëshpëruar dhe me djegën që i përcolli tutje syhapur për kombin që nuk bëhet kollaj.

Disa përjetësuan në formë të shkruar  dhimbjet e tyre, po dhe akuzën e hapur ndaj bashkëkombësve të pamarrur vesh, që, si të ndjekur nga ndonjë mallkim hyjnor, çdo hap përpara e shoqëronin me nga dy a tre hapa prapa. Dëshpë­rimi i tyre ishte i përmasave kozmike, sepse e këtyre përmasave qe edhe përpjekja mbinjerëzore për ta ribërë kombin e katandisur.

Gati nuk ka mbetur rilindës që nuk e ka folur për brengën lidhur me (mos)bërjen e shqiptarit. Kush më pak e kush më shumë, kush më ashpër e kush më butë, kanë shprazur vreret që i arsyetoi koha. Mund ta merrni me mend, bie fjala, si ndjehe­shin rilindësit tanë në vitin 1914, kur shqiptarët e katandisur për bidat prisnin në portin e Durrësit princin e huaj. Ç’mosbesim i paskrupullt qe ky kundrejt bijve më të mirë të Shqiptarisë, që, pasi e rikrijuan nga kurgjëja shtetin e tyre, s’qenkëshin të denjë t’i prinin!

Tragjizmi i kësaj historie groteske është madhëruar edhe nga letrarë e publicistë të huaj. Njëri prej atyre që dha tablonë e saktë të këtyre ngjarjeve qe kolosi i letërsisë kroate, Mirosllav Kërlezha, që, në esenë “Mbi të vetmit flamij të kohës sonë”, portretoi gjeo­gra­finë e mpirë të shkretëtirës shqiptare ku mërzejnë kotësitë e botës.

Dëshpërimi i Rilindësve. Krijuesit e vërtetë të Shqipërisë, Rilindësit, ndjeheshin të hedhur në margjinat e shoqërisë, e cila lejoi t’i prijnë e ta përçajnë dollibashët e karkanxhollët me poste të larta. Të dëshpëruar qenë të gjithë, pa përjashtim, duke justifikuar kësisoj hidhërimin transparent të gjeniut të letrave shqipe Faik Konicës, të derdhur pa rezervë në diskursin  e tij të papërsëritshëm. Zemërim i jashtë­zakon­shëm duhet ta ketë detyruar Atë që ta shkruajë me aq mllef artikullin “Ç’është liria”?, ku portretohet zhgënjimi dhe revolta e një brezi të tërë njerëzish madhështorë:

Më mbetet pak kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, dhe, në vënt të trurit, të kllas këtë: Ç’është liria? Të mos të kisha nisur këtë fletën (vaftë në Djall!) s’do të humbisja kohën time që t’u mësonj gomarëve ç’është liria. Dy vjet janë që u nis kjo puna, dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë mut njeriu se sa të nisja punë për shqiptarët. Janë nja 50 Shqiptarë qi kuptojnë ç’është liria: ata nuk na shkrojtin gomarërira se dinë që është i lirë njeriu të thotë si e ka në funt të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë? Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të shes mut, në vënt që të mbanj të përkohëshmen; më mirë të shes mut njeriu, se të shkruajë për Shqiptarët. Gomarëve, pra, le të përpiqem akoma një herë t’u mbush kokën me këtë: ç’është liria?

Ngjashëm do të shkruajnë edhe disa bashkëkohanikë të Konicës, që bënë emër në vitet e pavarësisë shqiptare. Edhe ata do të mbeten tejet të pakënaqur me çaprazllëqet e prijësve, me nivelin e vetëdijes së bashkë­kombësve dhe me statusin e tyre në shoqërinë shqiptare. Tani më ishte formuar një copë Shqipërie dhe shqiptarëve u vinin sherret kryesisht nga vetvetja. Është koha kur, përveç veseve kolektive, shqiptarët nisi t’i mundojë edhe sëmundja e rrezikshme e ngatërrimit të kompetencave dhe shumësia e dr. Adham-utëve të gjithëdijshëm. Ndaj është krejt e kuptueshme përse letërsia, publicistika dhe gazetaria e kohës vlon nga krijimet lutje, si proza “Lutje Zotit” e Nonda Bulkës:

Zot që je në qiell, dërgona urgjent mënd…

Dërgona mënd, o Zot, përndryshe merrna me këto që kemi.

…Jepu shqiptarëvet vullnet dhe logjikë që të flasin shqip, të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënë ata, shpejt a vonë do ta bëjnë atdhenë babiloni gjuhësh, ku s’do të marrë vesh qeni të zonë.

…Vendos, o Zot, çdo njeri në vendin që i përket.

Mos lejo që veterinari të bëhet avokat, rrobaqepësi diplomat, gjykatësi letrar, doktori gjykatës, poeti politikan dhe politikani poet.

Meremetoje pak shtëpinë që na dhe peshqesh, se zuri myk, o i fuqiplotë…”

Ndërkohë Homeri shqiptar – Gjergj Fishta do të pranojë me zemër të plasur: E paskna pas ma kollaj me bashkue një thes me pleshta, se dy Shqiptarë…

Sfida e Lasgushit. Për paradoksin e paradokseve tona paradoksale, nuk u bë mirë as pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipërinë e pllakosi mesjeta staliniste, duke e shndërruar në kufomë të gjallë. Sfidanti i vetëm serioz mbeti liriku më i madh i kombit, Lasgush Poradeci, poeti që, siç shprehet Kadareja: “s’kishte vend në këtë kohë…”; ai që i kundronte breshkat shqiptare nga distancat e sistemeve të tjera diellore; ai që në shenjë proteste braktisi vallen e yjeve për t’u gatuar arbitërve të moralit komunist dhe akrabave të elitës lirike atë që kërkuan prej tij. “Mut deshën, mut u dhashë”, do të shprehet ai me cinizmin e tij unik.

Sot është beter. Bile, në dallim nga ish sistemi, nuk e dimë ku e kemi hirrën. Të gjendur para rasteve të të jetuarit në stilin kokërrshpinas, i hamë rrashtat e njëri-tjetrit, duke demonstruar anën praktike të ferrit dantesk. Natyrisht, në zallahi të tilla, konsiderohen të marrë ata që kompletojnë mozaikun makabër të epilogjeve që, dhëntë Zoti nuk rindodhin më; dalin të marrë ata që e parandjejnë se zgjebet tona mund të kenë tagre të rënda, që s’duhet të trashëgohen nga brezat e ardhshëm.

Ndoshta këtu qëndron shkaku përse krijuesit bëhen mistikë dhe shkruajnë lutje, si kjo imja, ditën kur u largua nga Kosova thundra serbe:

Kosova nuk është më nën çizmen serbe.

Pas viteve të humbura,

a jemi përgatitur shpirtërisht për këtë ditë,

a jemi çliruar nga armiku ynë i madh – vetvetja,

nga filozofia e shpirtit të robit dhe akrepit?

Margjinë qofshin kacagjelimet për karriget e vëtërlashkta ortopedike,

fenomenet që u japin çështjeve aromë kotësie,

makthet e anijes shqiptare pa timonier,

luigjët e mendësisë zenbudiste: Kombi jam unë!

zeusët mbi xhade kufomash dhe gjeneralët e pasluftës.

Asnjë gram energji akumulatorëve të shpërthyer!

Bota është përplot shakllabanë, po Kosova s’guxon më të ecë pas tyre.

 Sqarim:

Versioni fillestar i kësaj kolumne u shkrua në vitin 1992. Më 2000 u botua i plotësuar në librin “Gjahu i qorrave”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit