Epoka e post-karakterit dhe arsimi (II)

“Karakteri, në planin afatgjatë, është faktori vendimtar si në jetën e individit ashtu edhe në atë të kombeve.”

Th. Roosevelt

Në gjuhën kineze fjala krizë përbëhet nga dy shenja, njëra përfaqëson rrezikun (危, uēi) dhe tjetra mundësitë (机 xhī). Pra momentumi i epokës tonë krizologjike është ai i rrezikut por ama edhe i mundësive të shumta për të gjetur rrugëdalje, për të mos u dorëzuar, për të mos kaluar në defetizëm. Kriza ka pasur çdoherë, siç ka pasur çdoherë njerëz që kanë rënë përtoke, që kanë shpallur kapitulimin, por edhe të atillë, njerëz me karakter të fortë, që kanë luftuar me të keqen deri në grahmën e fundit, që ia kanë dalë të ngadhënjejnë ndaj sfidave.

Një nga agjentët më të rëndësishëm për formimin e karakterit të njeriut është institucioni i arsimit. Shkolla duhet t’u mësojë të rinjve karakterin e mirë, t’i bëjë njerëz që japin maksimumin në punë dhe më të mirën në të gjitha sferat e jetës. Rrjeti arsimor duhet të prodhojë qytetarë të cilët janë të urtë, të mençur por edhe me mirësjellje. Programet e edukimit të karakterit të cilësisë së lartë (high-quality character education) duhet të prodhojnë të rinj që janë edhe njerëzorë edhe mendjemprehtë. Samuel dhe John Phillips, themelues të akademisë me mbiemrin tyre, qysh në vitin në vitin 1878 janë shprehur se “Mirësia pa dije është e dobët dhe e mekur, kurse dija pa mirësi është e rrezikshme; të bashkuara formojnë karakterin më fisnik”. Kjo është arsyeja pse në tridhjetë e një shtete të SHBA-ve me statut urdhërohet ose inkurajohet edukimi për karakterin. Qëllimi është kapërcimi i krizës nacionale të karakterit. (McDonnell, 2008)

Në shekullin XX ngulmimi mbi të ashtuquajturën shkencë objektive, pa vlera ose mbivlerore (value-free science) i ka shtyrë kolegjet dhe universitetet që të shmangin edukimin moral nën arsyetimin se edukimi i studentëve brenda një tradite morale nuk respektonte diversitetin. Formacioni etik është i domosdoshëm; çështja nuk është nëse universitetet do të formojnë karakterin e studentëve të tyre, por si. Universitetet duhet të na mundësojnë të shohim të mirën dhe ta kërkojmë atë. (Henreckson & Lamb)

Ndonëse fakulteti, stafi dhe studentët mund të ndjekin vlera, bindje dhe përkushtime të ndryshme, ata sërish mund të konvergjojnë në të mirat e përafërta, të arrijnë dije për virtytet si drejtësia, mëshira ose përulësia që na mundësojnë të bëhemi pjesë e bisedës së përbashkët lidhur me mënyrën se si të jetojmë – shprehen Henreckson dhe Lamb. Në këtë drejtim duhet të përfshijmë idetë, tekstet dhe shembujt nga traditat e ndryshme që iluminojnë forma të ndryshme të mishërimit një jetë etike dhe që e fuqizojnë vetëdijen, empatinë dhe të kuptuarit e tyre lidhur me ata që besojnë ose jetojnë ndryshe. Përndryshe do shpërfaqet krizë akademike; në rrjetet sociale do kemi postime si ai i një profesori turk: “Në qytetet ku hapen universitete nuk po zhvillohet sektori i libërshitjes apo i bibliotekave, por ai i kafeneve, bareve dhe hotelierisë; jemi duke edukuar injorantë me diploma.”

Si përfundim mund të themi se të gjithë jemi të detyruar që t’i rishqyrtojmë vlerat dhe anët e fuqishme të karakterit si pjesë e ndërtimit të mendësisë sonë. Njeriu duhet të kuptojë rolin jetik të karakterit, të dijë se personi pa karakter është i pacipë dhe destruktiv. Personi pa karakter i përngjan librit me dy kapakë dhe pa fleta përbrenda. Institucionet e arsimit të lartë nuk duhet të jenë fabrika njerëzish me certifkata, por institucione me mision, vatra që prodhojnë dije dhe vlera udhëzuese (guiding values), që lançojnë kuadro me shkathtësi socio-emocionale, të aftë dhe me shpirt, që pos dijes kanë edhe sedër, ndërgjegje e karakter. Produktet e akademive janë trade mark i tyre. Sjellja e të diplomuarve i identifikon ata me institucionin nëpër të cilin kanë kaluar, flet për ta dhe mësimdhënësit e tyre. Karakteri në këtë ose në atë mënyrë, tani a më vonë, e tregon veten. “S’kemi nevojë të flasim për karakterin e dikujt, ai vetë do të shpërfaqet; qypi s’ka nevojë të thyhet për të parë ç’ka në të, lëngu do të gjejë disi rrugën për të dalë jashtë” – thotë Shirazi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit