Ende vazhdon hetimi për vrasjen në Çair, Toshkovski pret që të dyshuarit së shpejti të arrestohen

Ende po zbardhen rrethanat rreth vrasjes që ndodhi para dhjetë ditësh në Çair të Shkupit,  informoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në paraqitjen e mbrëmshme në edicionin qendror të lajmeve të RTM-së, transmeton Portalb.mk.

Ministri tha se në këtë fazë të procedurës nuk mund të japë detaje shtesë në lidhje me hetimin dhe shprehu pritjen që të dyshuarit së shpejti të arrestohen. Në kuadër të procedurës hetimore, siç tha ai, po shqyrtohet edhe çështja se përse njëri prej dy të dyshuarve, i cili ndodhej duke vuajtur dënim me burg, në momentin e kryerjes së veprës ishte në liri.

Në intervistën e mbrëmshme, Toshkovski prezantoi edhe të dhëna, sipas të cilave, në periudhën nga janari deri në gusht të vitit 2026 është shënuar ulje e disa kategorive të veprave të rënda penale, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Numri i vrasjeve është ulur nga 19 në 12, përkatësisht për rreth 37 për qind. Numri i autorëve të regjistruar është ulur nga 26 në 13, ndërsa numri i viktimave është ulur nga 20 në 12, që paraqet një ulje prej rreth 40 përqind. Ulje veçanërisht e theksuar, prej afërsisht 65 përqind, është regjistruar te tentativat për vrasje. Grabitjet janë ulur për rreth 40 përqind, ndërsa vjedhjet e rënda për afërsisht 30 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, tha Toshkovski.

Nga ana tjetër, ministri vuri në dukje rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje, të cilën e lidhi me guximin më të madh të qytetarëve për ta raportuar këtë lloj dhune. Vepër penale me rritje të konsiderueshme është edhe drejtimi i pamatur i automjetit, tha Toshkovski, duke shtuar se gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar rreth 2.200 vepra të tilla, që është rreth shtatë herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“‘Qyteti i sigurt’ na ndihmon jashtëzakonisht shumë në këtë pjesë të detektimit të veprave penale dhe për këtë arsye kemi rritje drastike të numrit të veprave penale, shtatë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, shtoi ministri i Punëve të Brendshme.

Në një sulm të armatosur që ndodhi mbrëmjen e vonshme të 6 shtatorit në bulevardin “Nikolla Karev”, përkatësisht në Rrugën e Plastikave në Shkup, u vra një 26-vjeçar. Sulmuesit qëlluan nga motori dhe u larguan në drejtim të panjohur.

ÇairiKomuna e ÇairitMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe ToshkovskiVrasje - Ekzekutim