EMV nuk arriti të gjejë operator që do të sigurojë energji elektrike në kushte emergjente

Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) nuk kanë arritur të gjejnë një operator që do të furnizonte me energji elektrike në rast të një emergjence të mundshme, raporton Telma. Në përgjigje të thirrjes për përzgjedhje të shpallur në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, e cila u mbyll pak ditë më parë, EMV thotë se askush nuk ka aplikuar dhe se me shumë mundësi do të ketë thirrje të re me kushte të ndryshuara, por ende nuk është përcaktuar se kur, transmeton Portalb.mk.

Elektranat shtetërore shpesh ballafaqohen me probleme me njësitë në REK Manastir gjatë sezonit të ngrohjes. Në kushte emergjente është vendosur që të merret energji elektrike nga rrjetet e jashtme përmes sistemit transmetues MEPSO, por ato sasi kushtojnë shumë. Pra, me një thirrje të tillë duhet të sigurohet një operator që do të shesë menjëherë energjinë elektrike për të kompensuar mungesën dhe për të shmangur krizën.

EMV ende është në kërkim të një kompanie që do të nxjerrë thëngjill për nevojat e REK Manastirit në minierën e Brod Gneotino, gjegjësisht dikë që do të zëvendësojë Kompaninë Markovski, me të cilën e kanë ndërprerë kontratën për shkak të mospërmbushjes së obligimeve. Tani, Toplina Podmolje po gërmon përkohësisht atje.

Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) (ELEM)Energjia elektrike - rryma