“Emrin nuk e japim”

Presidentja e posazgjedhur Gordana Siljanovska Davkova e cila e mori detyrën para disa ditësh, që me fjalinë e saj të parë shkaktoi skandal me përmasa ndërkombëtare pasi që gjatë ceremonisë së inaugurimit të saj, duke dhënë betimin si presidente e shtetit, në vend që ta thotë emrin kushtetues të shtetit, u betua se do ta ushtrojë funksionin presidente e Maqedonisë. Ambasadorja e Greqisë në këtë rast e lëshoi në mënyrë demonstrative sallën, pas çka pasuan edhe reagime të ashpra nga qeveria greke, nga Brukseli dhe nga vendet tjera të Bashkimit Evropian. Edhe një herë na dërguan mesazh të qartë se duhet ti përmbahemi atij që quhet parim i popujve të civilizuar e që në latinisht e kanë shprehur me senentencën “Pacta sunt servanda” apo në përkthim: “Marrëveshjet duhet të zbatohen”. Me veprimin e parë të saj si presidente e shtetit, Siljanovska-Davkova e shkeli rëndë këtë parim të popujve të civilizuar. Sigurisht, pasojat e këtij veprimi të pamatur do ti heqim të gjithë ne. Përparimi i vështirë dhe me shumë sakrifica drejt integrimit në BE u vendos sërish në rrezik. Ne jemi sërish në prag të rikthimit në izolimin shumëdekadësh nga i cili mezi se dolëm në momentin kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës të cilën presidentja me aq lehtësi vendosi ta anashkalojë.

Ky veprim i presidentes është më se i kuptueshëm duke pasur parasysh që një shumicë bindëse e qytetarëve e votuan pikërisht për shkak të qëndrimeve të saja të njohura që më parë. Ajo edhe gjatë fushatës gjithmonë thoshte që do t’i respektojë marrëveshejt e nënshkruara, nuk do t’i ndryshojë tabelat, por në paraqitjet e saj asnjëherë nuk do ta thotë emrin Republika e Maqedonisë së Veriut sepse kjo qenka e drejta e saj për vetëvendosje. Pas betimit të saj, një sërë përfaqësuesish politikë të VMRO-DPMNEsë dhe njerëz të afërt me këtë parti filluan të përhapin arsyetime të ndryshme se presidentja nuk e ka shkelur as Kushtetutën, as ligjet e as Marrëveshjen e Prespës, sepse ajo në fakt e ka nënshkruar betimin e shkruar në letër ku qëndron emri kushtetues i shtetit, por gjatë paraqitjeve të saja publike ajo ka lirinë e shprehjes dhe vetëvendosjes se si do ta quajë shtetin të cilin e përfaqëson. Është vertet e dhimbshme të shihet se si kuptohet drejtësia dhe e drejta ndërkombëtare nga disa. Çfarë hipokrizie është ajo që në paraqitjet publike të bëhesh populist dhe ta ushqesh popullin me nacionalizëm duke thënë Maqedoni, e në ndërkohë të nënshkruash dokumente duke përfshirë këtu edhe vendimin për pagën tënde ku qartazi qëndron emri kushtetutes i shtetit?! Njeriu nuk mund të jetë edhe populist edhe legalist edhe oportunist në të njejtën kohë.

Debatet juridike që mundohen ti ngjallin apologjetët e presidentes mund të vazhdojnë lirisht deri në pafundësi. Pasojat gjithmonë do ti heqim ne, qytetarët e këtij vendi të çuditshëm, që bëjmë një hap para dhe tri hapa pas. Në sferën ndërkombëtare rrallë dikush do të ketë durimin ti analizojë shkronjat e Marrëveshjes së Prespës e cila u arrit me shumë sakrifikcë. Përparimi që e bëmë gjatë viteve të fundit mund të shlyhet për gjeste të tilla si ai i presidentes dhe ne sërish të përfundojmë jo me një por me dy veto në rrugëtimin tonë evropian. Mezi se e hoqëm Greqinë nga lista e shteteve që na bëjnë pengesa në rrugën tonë drejt integrimit, e tani presidentja, bashkë me partinë e saj, që ende nuk i ka të qarta obligimet që dalin në momentin kur nga një parti opozitare kalohet në qeveri, janë të vendosur që Greqinë ta kthejnë sërish në atë listë, madje duke ia dhënë edhe vendin e parë.

Na qoftë për hajër presidentja e re që na tregoi edhe një herë se emrin nuk e japim as edhe për një ardhmëri evropiane!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit