Ekrem Bajroviq u dënua me 12 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte kundër popullatës civile, Ekrem Bajroviq, duke i shqiptuar dënimin prej 12 vitesh burgim, raporton Reporteri.net.

Nëpërmjet një komunikate për media, Gjykata njofton se E.B ushtronte detyrën e zyrtarit policor në stacionin policor në Gurrakoc të Istogut. Sipas aktakuzës, Bajroviq në bashkëpunim edhe me të tjerë, më 8 maj të 1999-s e ka ndalur në Saradran të Istogut një kolonë me civilë shqiptarë që po iknin për në Shqipëri, duke i marrë nga aty 16 burra dhe duke i dërguar ata te një shtëpi, ku i kanë rrahur me mjete të forta dhe u kanë thënë: “Ku e keni NATO-n, ku e keni UÇK-në”.

“Gjatë kohës luftës në Kosovë, respektivisht me datën 07 dhe 08 Maj 1999, gjatë një aksioni të forcave ushtarake, paramilitare dhe forcave policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Stradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshtartat tjera përreth të Komunës së Isogut, i detyruan popullatën civile që ti lëshojnë shtëpitë tyre dhe i udhëruan që të shkojnë në Shqipëri, ashtu që i akuzuari E.B, si polic në Stacionin Policor në Gurrakoc – Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin vepruar në këto fshatra, në kundërshtim me Ligjin Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale) dhe me Rrregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë, ashtu që mori pjesë në dëbimin, vrasjen dhe ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare në atë mënyrë që me 08 maj 1999, në fshatin Staradran, Komuna e Istogut, derisa kolona e popullsisë civile e nacionalitetit shqiptar ishte duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, u ndal nga forcat ushtarake dhe policore serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari E.B, ashtu që nën kërcënimin e armëve i ndan meshkujt nga pjesa tjetër civile, ku ishin gratë, pleqtë dhe fëmijët, ashtu që fillimisht i’u marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë, e më pastaj të gjithë i vendosin në oborrin e shtëpisë së D.Z duke i renditur në radhë një nga një, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, pastaj i sulmojnë fizikisht, duke i rrahuar me mjete të ndryshme duke shkaktuar dhunë dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, duke ju thënë “Ku e keni NATO-n”, Ku e keni UÇK-në”, dhe më pas së bashku edhe me forcat paramilitare i dërguan një nga një në shtëpinë e Z.S dhe i pushkatojnë të paktën 16 (gjashtëmbëdhjetë) civilë të nacionalitetit shqiptar, në mesin e tyre edhe të mbijetuarin këtu të dëmtuarin N.E, të cilin e kishin goditur me një predhë të një mitralozi në pjesën e fytyrës dhe kishin gjuajtur si të vdekur në grumbullin e kufomave tjera, mirëpo i njëjti iu kishte mbijetuar plagëve, me ç’rast kishte mbetur i plagosur rëndë, kurse të vrarë kishin mbetur D.G, H.E, N.E, M.E, M.E, Sh.E, N.E, A.E, I.A, M.D, B.D, R.Sh, G.I, B.M, J.A dhe I.L.

Po ashtu me 7 maj 1999 në fshatin Staradran, ka marrë pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 (tetëdhjetekatër) civilëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu që fillimisht të dëmtuarit (meshkujt) i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, ndërsa me 8 maj 1999 i kishin transferuar në stacionin policor në Gurrakoc, ku kolonës i printe i akuzuari E.B dhe i njëjti e kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut të dëmtuarin A.T në anën e djathtë nën brinjë dhe pas vendosjes në stacionin policor në Gurrakockanë filluar duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në komunikatë.

 

Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK)Krime lufteLufta në Kosovë