Edhe përkundër reagimeve, u zgjodhën dy anëtarët e rinj të Këshillit Gjyqësor

Gjithsej 236 gjyqtarë patën të drejtë vote për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor, njofton Këshilli Gjyqësor. Prej tyre, 16 gjyqtarë me të drejtë vote në njësinë zgjedhore në Gjykatën Supreme, ndërsa 220 gjyqtarë në 12 vendvotime nga zona e apelit në Shkup dhe gjykatat administrative, transmeton Portalb.mk.

Naqe Georgieva nga Gjykata Supreme u zgjodh anëtar në Këshillin Gjyqësor me 6 vota “për”, 7 të pavlefshme dhe 3 të papërdorura. Anëtare e këtij Këshilli u zgjodh edhe Antoneta Dimovska me 110 vota “për”, derisa kundërkandidati 49 vota, nga gjithsej 185 vota të shfrytëzuara.

Ndryshe, kandidati i vetëm për anëtar të Këshillit Gjyqësor nga Gjykata Supreme ishte gjyqtari suprem Naqe Georgiev, ndërsa në listën për anëtar nga Apeli Shkup janë dy kandidatë: Antoaneta Dimovska, gjyqtare nga Gjykata Civile në Shkup dhe Llazar Nanev, gjyqtar nga Gjykata Themelore në Kavadar.

Për Georgievin pati reagime të mëdha, pasi Këshilli Gjyqësor i ndërpreu procedurën për punë joprofesionale që nga koha kur ishte kryetar i Gjykatës së Apelit në Shtip. Në seancë me dyer të mbyllura, anëtarët e Këshillit vendosën që procedura për shkarkimin e tij, e cila nuk u vendos prej 6 muajsh, ishte e pabazë. Lidhur me këtë, grupi Blueprint për reformat në drejtësi javën e kaluar kërkoi ndalimin e menjëhershëm të procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Gjyqësor.

Ndryshe, siç thanë ata, si mjet i fundit, gjyqtarët që duhet të votojnë në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, nga gjykatat në Apelin e Shkupit dhe Gjykata Supreme, do të duhet të bojkotojnë procesin për përzgjedhjen e anëtarëve për shkak të moslegjitimitetit të Këshillit Gjyqësor të RMV-së.

“Edhe përkundër reagimeve të organizatave dhe ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë për veprim joadekuat të Këshillit Gjyqësor gjatë periudhës së kaluar, puna e tyre megjithatë tregon se po thellohet hendeku dhe mosbesimi që ekziston mes tyre dhe publikut maqedonas. Shembulli i fundit është procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në KGJRMV-së nga radhët e gjykatësve, ku si kandidatë janë identifikuar gjykatës për të cilët është zhvilluar dhe po zhvillohet procedurë për konstatimin e punës joprofesionale dhe të pandërgjegjshme”, thuhet në komunikatën e grupit Blueprint.

Por pavarësisht reagimeve do të ketë zgjedhje në Këshillin Gjyqësor.

Gjyqtarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës sot nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Pas mbylljes së kutive të votimit do të numërohen rezultatet dhe do të bëhet procesverbal në qendrat e votimit.

“I gjithë materiali zgjedhor më pas do të sillet në Këshillin Gjyqësor të RMV-së, ku Komisioni Zgjedhor radhazi do të shpallë rezultatet preliminare dhe do të bëjë procesverbal. Kandidatët kanë të drejtën e dy kundërshtimeve: për mënyrën e votimit dhe për rezultatet e publikuara dhe pas skadimit të afateve ligjore, rezultatet bëhen përfundimtare”, njofton Këshilli Gjyqësor.

Gjyqtarja supreme Mirjana Radevska-Stefkova dhe gjyqtari i Apelit Zoran Gerasimovski dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në Këshillin Gjyqësor pas një sërë skandalesh që tronditën këtë institucion dhe pas shkarkimit kontrovers të ish-kryetares Vesna Dameva.

Gjykatës(e) - Gjykim - GjyqësorKëshilli Gjyqësor RMV
Comments (0)
Add Comment