Edhe ky vit shkollor filloi në baraka për nxënësit e “Nace Bugjoni” në Kumanovë, objekti i ri pritet pas tre viteve

Në baraka të improvizuara si klasa filloi edhe ky vit shkollor për nxënësit e paraleles në gjuhën shqipe të shkollës së mesme teknike komunale “Nace Bugjoni” në Kumanovë. Pavarësisht se me vite të tëra është premtuar zgjidhje për këtë shkollë, nxënësit edhe këtë vit do mësimin do ta ndjekin në kushte të vështira. Në ndërkohë ka filluar ndërtimi i objektit të ri i cili pritet të jetë gati në vitin 2027, shkruan Portalb.mk.

Barakat e shndërruara në klasa pa kushte

940 nxënësit e “Nace Bugjoni” vijojnë të mësojnë në kushte të vështira. Ata shprehen se kushtet janë shumë të këqija në klasat e improvizuara.

Gazvan Rramani nxënës i kësaj shkolle u ankua për gjendjen në të cilën mësojnë.

“Unë nuk jam i kënaqur aspak me këto kushte, kjo shkollë është e vjetër, tualetet janë të gjendje të keqe, bankat janë të shkruara. Po ashtu edhe në oborrin e shkollës nuk kemi hapësirë, nuk kemi ulëse, lëndën e sportit e mbajmë këtu në oborr siç shihet nuk ka asgjë”, tha Rramani.

Një nxënëse tjetër e vitit të tretë theksoi nevojën për objekt dhe hapsira të reja.

“Kushtet e shkollës janë shumë të këqija, lëndën e sportit rregullisht e mbajmë në klasë kur është koha me shi. Kësaj shkolle i nevojitet një objekt i ri shkollor sepse siç shihet nuk ka vend aspak, në pushim duhet të shkojmë këtu te qendra tregtare për ta kaluar kohën e lirë”, tha nxënësja. 

Pamje nga oborri i shkollës SHMTK “Nace Bugjoni” në Kumanovë, vend për mbajtjen e lëndës së sportit mbrapa shkollës. Foto nga Portalb.mk

Më shumë paralele se klasa

Profesori Rexhai Iseni duke folur për kushtet e shkollës dhe vështirësitë, tha se objekti është i vogël dhe nxënësit mësojnë mbi dhjetë vite nëpër klasa të improvizuara.

“Unë si mësimdhënës e shoh se kemi vështirësi dhe kushtet në shkollë nuk janë aq të mira. Kemi më shumë paralele se sa klasa. Objekti është i vogël në klasat e improvizuara gati mbi 10 vite nxënësit mësojnë në këto kushte. Na mungojnë kabinetet për ushtrimet në lëndën profesionale si: matja elektrike, mësimi praktik edhe pse tani e kemi si lehtësim me ndryshimin e plan programeve mësimi praktik mbahet nëpër ndërmarrje private”, tha Iseni.

Lënda e Sportit vështirë e realizueshme

Drejtoresha e shkollës Adelina Behluli sqaroi se objekti i shkollës është i vjetruar dhe paraqet vështirësi në realizimin e procesit arsimor.

“Problematika kryesore paraqitet në lëndën e sportit nga mungesa e sallës sportive shkaktohen vështirësi në realizimin e programit, sepse një pjesë e orëve të kësaj lënde mësimore realizohet në oborrin mbrapa shkollës ku është improvizuar një rrjetë për lojëra sportive, ndërsa një pjesë tjetër ngelet vetëm si pjesë teorike. Por mbetemi në pritje të kësaj problematike ndërtimi i objektit shkollor ka filluar dhe shpresojmë që sa më shpejtë të përfundoj dhe të zgjidhet përfundimisht problemi”, tha Behluli.

Ajo shtoi se problem tjetër mbetet edhe vendndodhja e shkollës afër bulevardit ku ka qarkullim të madh të veturave.

Shkolla e mesme teknike komunale paralelja në gjuhën shqipe “Nace Bugjoni” në Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Ka filluar ndërtimi i objektit të ri

maj të vitit 2024 filluan aktivitetet e par të ndërtimit të objektit të ri.

Nga Komuna e Kumanovës theksuan se punimet pritet të përfundojnë për tri vite, që do të thotë se objekti pritet të jetë gati në vitin 2027.

“Projekti është duke u zbatuar nga Ministria e Arsimit nga miratimi dhe projekti i zhvilluar dhe aplikuar nga Komuna e Kumanovës. Projekti i ndërtimit të objektit të ri është planifikuar të zgjasë tre vjet, i cili gjendet në ish-kazermën “Hristian Todorovski Karposh” në lagjen Bedinje”, thanë nga Komuna e Kumanovës.

Objekti do të ketë një numër të madh të klasave dhe zyrave, objekti do të shfrytëzohet nga dy shkolla.

Në një ndërrim do të mësojnë nxënësit e shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri”, ndërsa në ndërrimin e dytë nxënësit e shkollës së mesme teknike komunale “Nace Bugjoni”.

Për këtë objekt pyetëm edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por nga atje nuk morëm përgjigje.

Në të kaluarën ka pasur shumë premtime për këtë shkollë, megjithatë të njëjtat janë zvarritur.

Kujtojmë që në kushte të vështira vitin e ri shkollor e filluan edhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

CTRL Z – CTRLZKomuna e KumanovësKushtet në shkollaMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave të mesmeShkolla të mesme