Edhe dy padi të Frontit Europian u refuzuan nga Gjykata Administrative, pritet rivotim edhe në këta vendvotime

Gjykata Administrative në orët e pasdites ka njoftuar që ka refuzuar edhe dy padi tjera të Frontit Europian, duke marrë parasysh se sot refuzoi edhe një padi tjetër si të pabazë, transmeton Portalb.mk.

Në orët e pasdites u vendos që padia e Frontit Europian ndaj vendimit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për parregullsi zgjedhore në vendvotimin 1202 në Krushevë të jetë i pabazë. Me këtë, nëse ky vendvotim ndikon në rezultatin zgjedhor, ky vendvotim pritet të shkon në rivotim së bashku me vendvotimin 1194 në Krushevë.

Gjykata në seancën e sotme ka vendosur që edhe padia e Frontit Europian ndaj vendimit të KSHZ-së për parregullsi zgjedhore në vendvotimin 1470 në Dollnen, të llogaritet i pabazë. Si në dy vendvotimet në Krushevë, edhe në vendvotimin 1470 në Dollnen, pritet të ketë rivotim më 22 maj.

Koalicioni Fronti Europian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative edhe për katër vendvotimet tjera, ku KSHZ-ja ka konstatuar parregullsi. Paditë janë dërguar edhe për vendvotimin 1470/1 në Dollnen, 1272 më Ohër, 1844 në Strugë dhe 2101 në Zhelinë. Përveç Zhelinës që është në njësinë 6, të gjitha vendvotimet tjera bëjnë pjesë në njësinë 5.

Ndryshe, koalicioni VLEN vlerësoi se KSHZ-ja vërtetoi manipulimet e bëra nga Fronti Evropian, pasi KSHZ-ja kishte pranuar  7 ankesa për parregullsi zgjedhore. Ndërkaq, Fronti Europian pasi kishte bërë shtatë padi në Gjykatën Administrative për vendimet e KSHZ-së, kryeministri teknik Talat Xhaferi kishte kërkuar nga kjo gjykatë të mos ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit. Gjykata Administrative ka refuzuar deri më tani tre padi të Frontit.

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)DollneniFronti EvropianKomisioni Shtetëror i Zgjedhjeve RMV (KSHZ)KrushevaOhriStrugaZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje parlamentare/lokale