Edhe këtë vit, dialogu midis Kosovës e Serbisë do të vazhdojë të jetë një proces i ngadalshëm dhe i mbushur me sfida, thonë njohës të zhvillimeve politike. Sipas tyre, pa një ndryshim rrënjësor në qasjen e ndërkombëtarëve dhe pa një vullnet të qartë për njohje reciproke, perspektiva e një zgjidhjeje të qëndrueshme mbetet e largët. Në këtë drejtim, vendimet e udhëheqjes së re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian shihen si vendimtare për drejtimin që do ta marrë rajoni, raporton Koha.net.
Dialogu midis Kosovës e Serbisë dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit do të vazhdojnë të jenë në një udhëkryq të vështirë edhe në vitin 2025, kanë paralajmëruar njohës të zhvillimeve politike.
Ata e kanë kualifikuar qasjen e udhëheqjes së re në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vendimtare për drejtimin që mund t’i jepet zbatimit të Marrëveshjeve Bazë dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se pjesa e parë e vitit do të jetë e humbur për dialogun, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë, vendimmarrjes nga udhëheqja e re e BE-së për pasardhësin e lehtësuesit, Miroslav Lajçak, si dhe për faktin se do të jenë ditët e para të administratës së re amerikane.
“Këta janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë në procesin e dialogut, prandaj nuk pritet që në fillim të vitit të ndodhin gjëra të rëndësishme në këtë proces. Por më vonë gjatë vitit pritet të shihet se si do të veprohet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, vendeve të QUINT-it, Bashkimit Evropian, administratës së re amerikane dhe cila do të jetë qasja e qeverisë pas zgjedhjeve. Sa i përket Serbisë, Vuçiq dhe administrata e tij do të jenë konstruktive vetëm aq sa do të jetë e domosdoshme për Serbinë për të avancuar në procesin e negociatave me BE-në dhe për të marrë mjete financiare nga fondi i Bashkimit Evropian”, ka thënë Palokaj.
E eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka vlerësuar se mungesa e njohjes së ndërsjellë mbetet nyja kryesore, për të cilën ai shpreh skepticizëm se do të ketë ndonjë përparim gjatë këtij viti.
“Nuk e di nëse marrëveshja është me të vërtetë e tillë pasi ajo është mohuar në një masë të madhe nga Serbia. Kështu që nuk mendoj se është e mençur që njerëzit në Beograd, Prishtinë, Bruksel dhe në Uashington të mendojnë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Pjesë të asaj marrëveshjeje tani janë përfshirë edhe në kërkesat për anëtarësim në BE dhe të gjithë duhet të jemi të kënaqur me këtë. Por mendoj se kryesorja është çështja e njohjes dhe nuk e di nëse do të ketë ndonjë përparim në vitin 2025. Për këtë dyshoj sepse Vuçiqi ka arritur në përfundimin se mund të shmangë njohjen e Kosovës, dhe ende të vazhdojë një proces të ngadaltë të anëtarësimit në BE”, ka thënë Serwer.
Sa i përket politikës që presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, mund ta aplikojë në dialog, Serwer ka theksuar se mbetet e paqartë.
“Shumë do të varet nga përgjegjësit që do të caktohen për zbatimin e politikave amerikane rreth Ballkanit. Nëse është dikush si Grenell që ka përkrahur ndarjen e Kosovës, mendoj se mund të ktheheni në trajtimin e kësaj çështjeje, gjë që do të ishte për keqardhje. Por mund të jetë edhe dikush që thotë, shikoni, problemi kryesor në Ballkan është dështimi për të vendosur sovranitet të fortë dhe integritet territorial, dhe ne duhet t’i përforcojmë ato te të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë”, është shprehur ai.
Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen më 28 shkurt të vitit 2023 dhe një muaj më vonë ishin pajtuar edhe për aneksin e zbatimit në Ohër. Por zbatimi i saj mbeti nën hijen e tensioneve në veri, me të cilat u mor BE-ja e SHBA-ja. Me gjithë takimet e shumta, tek në fund të 2024-tës Kosova dhe Serbia u pajtuan për krijimin e Komisionit që lidhet me zbatimin e Deklaratës për të Zhdukurit.