Dyzet organizata nga RMV, Shqipëria dhe ndërkombëtare akuzojnë UNESCO-un: Komiteti ka tradhtuar parimet mbi të cilat është themeluar

Dyzet organizata nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të tjera evropiane thonë se janë të tronditura nga vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili sot i dha një vit tjetër afat Maqedonisë dhe Shqipërisë, në vend që ta regjistronte Rajonin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, transmeton Portalb.mk.

Në një deklaratë të përbashkët, të dërguar menjëherë pas miratimit të vendimit në Paris, organizatat akuzojnë Komitetin se ka injoruar përsëri rekomandimet e ekspertëve. 

“Komiteti i Trashëgimisë Botërore u informua për transformimin shqetësues të pronës më shumë se dy dekada më parë. Njëzet e dy vjet më vonë dhe pasi tre misione ngritën alarmin se Rajoni i Ohrit është de facto Trashëgimi Botërore në Rrezik, Komiteti ka vendosur përsëri të injorojë ekspertët dhe të shpërblejë shpërfilljen e Konventës me një shans tjetër”, thuhet në reagim. 

Sipas tyre, koha e dhënë më parë vetëm sa inkurajoi projekte të reja shkatërruese, gjë që u konfirmua edhe nga misioni në vitin 2024.  

“Nuk kemi arsye të besojmë se këtë herë do të jetë ndryshe. Ne besojmë se me këtë vendim Komiteti ka tradhtuar parimet mbi të cilat është themeluar dhe ka minuar në mënyrë aktive vetë thelbin e Konventës së Trashëgimisë Botërore”, thonë organizatat.  

Ata kërkojnë që të dy vendet “këtë herë ta trajtojnë mundësinë me përgjegjësi” dhe menjëherë të ndalojnë dhe anulojnë të gjitha projektet shkatërruese në vazhdim dhe të parealizuara.  

“Jemi të tmerruar nga vendimi, por do të vazhdojmë të luftojmë për ruajtjen e Rajonit të Ohrit”, thonë organizatat. 

Këto janë 17 organizata nga Maqedonia, 13 nga Shqipëria, 1 rrjet evropian prej 15 organizatash dhe 9 organizata nga Kroacia, Serbia, Bullgaria, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar.  

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se qeveria e mëparshme është fajtore për dështimin e përmbushjes së detyrimeve të saj ndaj UNESCO-s. 

“Me një aktivitet të koordinuar diplomatik ndërsektorial, arritëm të marrim një periudhë shtesë dhe të fillojmë zbatimin e këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, Ministria e Transportit ka publikuar një njoftim dhe do të punësojmë një kompani që do t’i shembë këto ndërtesa të paligjshme, veçanërisht në Ohër, dhe veçanërisht ato ndërtesa të paligjshme që kanë leje rindërtimi dhe po shndërrohen në ndërtesa banimi dhe kështu do të nxjerrim në sipërfaqe njerëzit që po i abuzojnë ato. Dhe nuk kam nevojë t’i tregoj publikut, dhe juve, se kush është protagonisti kryesor në atë abuzim, veçanërisht në rajonin Ohër-Strugë”, tha Mickoski. 

“Jo vetëm që nuk filluan, por njerëz të afërt me partitë politike nga qeveria e mëparshme vazhduan të abuzonin me njohjet e tyre me individë të afërt me qeverinë e mëparshme. Pra, disa nga lejet e rindërtimit u dhanë për ndërtesa të reja – le të themi, në qendër të Ohrit. Për më tepër, raporti në fjalë i referohet periudhës nga viti 2017 deri në mars 2024, dhe rekomandimi ishte për atë periudhë.” 

Në periudhën prej 2017-2025, kryetarë komune nga LSDM ishin Jovan Stojanovski (2017-2018) dhe Konstantin Georgieski (2018-2021), ndërsa që nga viti 2021 kryetar komune është Kiril Petsakov nga VMRO-DPMNE. Është pushteti vendor që jep leje ndërtimi dhe duhet të shembë ndërtesat pa leje. 

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s sot në Paris vendosi të shtyjë regjistrimin e Rajonit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore në Rrezik edhe pse në draft–dokumentin e miratuar në kuadër të sesionit të 47-të të këtij viti Komiteti kishte kërkuar që rajoni i Ohrit të vendoset në listën e pasurive botërore dhe kulturore në rrezik. Po aty, ishte theksuar se vazhdon degradimi i atributeve të cilët e transferuan rajonin e Ohrit si trashëgimi e mbrojtur e UNESCO-s dhe u kërkua përmbushje e vërejtjeve të misionit reaktiv monitorues nga viti i kaluar.

UNESKO – UNESCO