Ndonëse para dy viteve Komisioni për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit ndaj veprimeve sizmike të objekteve publike në Tetovë, konstatoi se shkolla fillore ‘Liria’ ka nevojë për intervenim dhe rikonstruim, dy vite më vonë nuk ka lëvizje. Kryetari i Komunës thotë se shqyrtohen dy opsione, por nuk ka ende asgjë konkrete se me cilin opsion do shkohet, shkruan Portalb.mk.
Tërmeti i mbrëmshëm prej 4.9 shkallësh që goditi Tetovën dhe rrethinën, ngriti edhe njëherë alarmin për sigurinë e objekteve.
Një ndër objektet më të rrezikuara, siç është konfirmuar edhe zyrtarisht nga Komuna e Tetovës, është shkolla fillore ‘Liria’.
Para dy viteve u tha se ky objekt ka nevojë për rikonstruim dhe intervenim, madje u paralajmërua ndërtimi i objektit të ri. Megjithatë, në terren nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim.
Në brifingun e fundit me gazetarët me 5 shkurt, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se te shkolla fillore ‘Liria’ kanë punuar fillimisht për zgjidhje urbanistike.
“Për momentin kemi zgjidhje urbanistike për një objekt shtesë të shkollës Liria që do jetë si objekt ndër spitalin rreth lumit, me plan urbanistik është përcaktuar parcela për objekt të shkollës, jemi në përgatitje të projektit të të njëjtës dhe pastaj do shkojmë për sigurimin e fondeve për realizim”, tha Kasami.
Ai thotë se për shkak se bëhet fjalë për një ndër shkollat më të mëdha me numër të nxënësve, nuk mund të nisim qoftë rikonstruimin apo ndërtimin e shkollës pa siguruar një objekt alternativ ku do të mund të realizohet mësimi.
“Fillimisht strategjia jonë është që të ndërtojmë një objekt shtesë në lokacionin që përmenda që pastaj të shohim mundësinë e ose ndërtimit të një objekti të ri ose rikonsturimit të të njëjitit por duke respektuar statistikën e objektit që mos paraqitet rrezik për fëmijët në periudhën e ardhshme”, tha Kasami.
Komisioni për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe stabilititetit ndaj veprimeve sizmike për objektet kolektive, publike dhe të trashëgimisë kulturore u formua në janar të vitit 2024. Më pas ky komision analizoi diku rreth 20-30 objekte publike se sa kanë dëmtime në strukturë. Megjithatë, raporti i plotë nuk u bë publik për opinionin.
- LEXO: Shkolla ‘Liria’ në Tetovë ka nevojë për rikonstruim të objektit, këtë muaj pritet raporti i plotë për stabilitetin e objekteve tjera ndaj tërmeteve
- LEXO: Tetovë, shkolla “Liria”, spitali, stadiumi janë testuar por ende nuk dihet sa janë të qëndrueshme ndaj tërmeteve, Komuna e pret raportin në fund të muajit
- LEXO: Nuk dihet se sa të qëndrueshme janë objektet ndaj tërmeteve në Tetovë, komuna formoi komision vlerësimi