Kosova do të përfaqësohet me dy filma në garën kryesore të Sarajevo Film Festival. “DUA”, i regjisores Blerta Basholli, dhe “Shame and Money”, i regjisorit Visar Morina, do të shfaqen me premiera rajonale në një nga ngjarjet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore, shkruan Portalb.mk.
Qendra Kinematografike e Kosovës e ka cilësuar përzgjedhjen si një sukses të radhës për kinematografinë kosovare dhe një dëshmi të pranisë së saj në festivale të rëndësishme ndërkombëtare.
“DUA”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, vjen në Sarajevë pas premierës botërore në programin La Semaine de la Critique të Festivalit të Cannes. Filmi është një dramë e rritjes dhe e pjekurisë, e vendosur në Kosovën e viteve ’90, dhe rrëfen historinë e një adoleshenteje introverte që kërkon të ndërtojë identitetin e saj në një periudhë të tensionuar politike.
Filmi është prodhuar nga Valon Bajgora dhe Yll Uka, ndërsa është realizuar në bashkëprodhim me kompani nga Zvicra dhe Franca.
Në garën kryesore do të shfaqet edhe “Shame and Money”, me skenar dhe regji të Visar Morinës. Në film interpretojnë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica dhe Alban Ukaj, si dhe dy aktorët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini dhe Refet Abazi. Skenari është shkruar nga Visar Morina dhe Doruntina Basha.
Të dy filmat janë realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të një numri institucionesh e fondesh evropiane të filmit.