Drejtoria doganore e RMV-së me përgatitje finale për themelimin e one-stop-shop me Kosovën

Drejtoria doganore e RMV-së është duke u përgatitur për vendosjen e one-stop-shop me Kosovën në pikën kufitare Bllacë, i cili do të mundësojë qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve, si pjesë e aktiviteteve të zbatuara për përshpejtimin dhe lehtësimin e tregtisë. Kjo forcon konkurrencën e kompanive maqedonase në tregun ndërkombëtar dhe mundëson mbështetjen e tregtisë legale nga njëra anë dhe përmirëson kushtet për parandalimin efektiv të aktiviteteve ilegale në kufi në anën tjetër. Ky është një nga mesazhet thelbësore nga vizita e sotme e drejtorit Stefan Bogoev dhe zëvendësdrejtorit Muarem Asani në pikën kufitare Bllacë, transmeton Portalb.mk.

“Pika kufitare e Bllacës është pika e dytë më e rëndësishme kufitare në kufirin tonë verior, e cila mundëson hyrjen në Kosovë, dhe lëvizjet drejt Serbisë, Malit të Zi dhe më pas në detin Adriatik. Me modernizimin e tij kontribuojmë në përshpejtimin e tregtisë dhe transportit dhe përmirësimin e performancës së ekonomisë maqedonase”, thotë Bogoev.

Nga Drejtoria doganore thonë se po investojnë shumë në modernizimin e menaxhimit të kufirit. Kjo përfshin përmirësimin e infrastrukturës në pikat kufitare, të mbështetur nga qasje moderne për të përshpejtuar fluksin e pasagjerëve dhe ngarkesave.

Kujtojmë se më 31 korrik, është lëshuar në përdorimi, koncepti “one-stop-shop” në pikën kufitare Qafthanë me Republikën e Shqipërisë. Me të duhet të mundësohet fluks më i shpejtë i qytetarëve nga të dy vendet, si dhe kompanive që transportojnë produkte në këtë pikë kufitare.

Në hapje mori pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në fjalën e tij ai theksoi se në këtë mënyrë lehtësohet puna e 11 mijë kompanive nga vendi ynë që janë të orientuara drejt eksportit dhe tregtisë me vendet e tjera, si dhe mundësohet akses më i lehtë në portet dhe pikat turistike të Shqipërisë.

BllacaDrejtoria e doganave RMVKosova