Drejtësi e vjetruar

Një studim i publikuar në Portalb e prezantoi me numra atë që të gjithë tani më e dinim. Njëri ndër problemet kryesore të drejtësisë në RMV është parashkrimi i lëndëve që pason me mosvendosjen e përgjegjësisë për to. Me fjalë tjera, kur ndjekja penale nuk është efikase, dhe kur kalon kohë e gjatë nga vepra e kryer e deri tek ndjekja penale, vjen në zbatim instituti juridik që quhet parashkrim, që do të thotë se një lëndë e vjetër penale, ku ka kaluar kohë e gjatë nga kryerja e veprës dhe autoritetet nuk kanë reaguar me kohë, nuk mund të ndiqet penalisht pasi të ketë skaduar afati i caktuar pas të cilit lënda parashkruhet dhe nuk mund të ndiqet më. Përgjegjësi nuk dënohet dhe viktima nuk merr drejtësi. E keqja është se po parashkruhen edhe lëndë të tilla ku viktima nuk është vetëm një individ, por është shoqëria në tërësi. Këto janë rastet e keqpërdorimit të pushtetit dhe korrupsionit.

Sipas studimit të publikuar, në pesë vitet e fundit në Gjykatën penale në Shkup, janë parashkruar pesë lëndë të evazionit fiskal. Do të thotë, pesë lëndë ku kryerësi është akuzuar se ka evituar pagesën e tatimit janë parashkruar. Në SHBA thonë se vetëm dy gjëra në këtë botë janë të paevitueshme: vdekja dhe tatimet (death and taxes). Por ja që në RMV nuk është pikërisht ashtu. Ka shumë raste kur tatimet evitohen, por si duket paska edhe raste kur prokuroritë dhe gjykatat i mbyllin sytë para kësaj dukurie. Pastaj kërkojmë spitale e shkolla e rrugë më të mira.

Poashtu në këtë periudhë kohore në të njëjtën gjykatë janë parashkruar edhe katër lëndë lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimit zyrtar, një lëndë lidhur me bashkimin kriminal dhe një lëndë për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Pra gjithsej gjashtë lëndë të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar janë parashkruar dhe për to nuk është mbajtur përgjegjësi penale.  Në ndërkohë, në përgjithësi, në gjykatat tona çdo vit parashkruhen mesatarisht rreth 1000 lëndë në vit. Pra në mijëra lëndë drejtësia nuk arrin të vendoset për shkak të mosefikasitetit të ndjekjes së veprave penale dhe kundërvajtjeve.

Në të gjitha këto lëndë, kryerësit lirohen jo sepse janë të pafajshëm, por sepse autoritetet nuk kanë arritur të vendosin përgjegjësi në kohën e duhur. Nuk thonë kot se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Të mendojmë pak se çfarë ndikimi ka ky fenomen tek viktimat, të cilat kur sistemi juridik nuk arrin që të vendosë drejtësi mund ta marrin drejtësinë në duart e tyre dhe të bëjnë vetëgjyqësi, një proces posaçërisht i dëmshëm për rendin shoqëror. Për më tepër, viktimat që shohin se drejtësia nuk realizohet përjetojnë zhgënjim të dyfishtë, së pari me vetë aktin e veprës penale nga e cila kanë pësuar dhe së dyti me drejtësinë që u është mohuar. Parashkrimi i kaq shumë lëndëve në një shtet kaq të vogël kontribuon në mënyrë direkte në besimin shumë të ulët ndaj gjyqësorit. Krijohet përshtypja se Justicia, perëndesha e drejtësisë që personifikohet si gruaja me sy të mbyllur dhe me peshoren në dorë, e ka humbur diku peshoren dhe ka mbetur vetëm me sytë e mbyllur, duke lejuar kështu që kriminelët t’ia hedhin dhe viktimat të paguajnë dyfish.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Besa ArifiKolumnat e Portalbit
Comments (0)
Add Comment