Drejt zgjedhjeve evropiane: çfarë duhet të dinë të gjithë?

Analizë për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Në BE qytetarët në zgjedhje të drejtpërdrejta i zgjedhin vetëm anëtarët e Parlamentit Evropian. Nuk ka qenë gjithmonë kështu, por kjo praktikë është vendosur nga viti 1979. Nga ajo kohë Parlamenti Evropian gradualisht po fiton më shumë kompetenca në Union. Edhe numri i deputetëve ka ndryshuar, duke u rritur nga 438 në vitin 1979, në 751 në vitin 2014 dhe vitin 2019, ndërsa në këto zgjedhje, të parat që nga Brexiti, në Parlamentin Evropian do të bëjnë pjesë 720 eurodeputetë.

Rregullat zgjedhore nuk janë plotësisht të unifikuara, kështu që ka rregulla që vlejnë për të gjitha shtetet, dhe rregulla të veçanta për secilin shtet.

Sipas një rregulli të përgjithshëm themelor një qytetar mund të votojë vetëm një herë. Qytetarët me vendbanim në një shtet tjetër mund të votojnë, por edhe të zgjidhen në atë shtet.

Sistemi zgjedhor është proporcional, kështu që zgjedhja e eurodeputetëve duhet të korrespondojë me votat që kanë marrë. Megjithatë, në kuadër të këtij sistemi ka variacione. Disa shtete kanë disa njësi zgjedhore, disa kanë vetëm një. Mënyra e llogaritjes së rezultateve të votimit mund të dallojë brenda këtij sistemi proporcional. Shumica e shteteve anëtare (13) nuk kanë një prag për hyrje, 9 e kanë pragun më të lartë prej 5%, ndërsa për pesë të tjerat pragu është nga 1.8 deri në 4%.

Në zgjedhje marrin pjesë partitë politike kombëtare, por pas zgjedhjeve ato zakonisht u bashkohen grupeve të partive evropiane të cilave u përket partia e tyre. Ka edhe të tilla që nuk janë anëtare të partive politike evropiane, kështu që ata i bashkohen ndonjë grupi politik në Parlamentin Evropian ose formojnë grupin e tyre.

Qytetarët e shteteve anëtare të BE-së ende dallojnë për nga mosha minimale në të cilën ata mund të votojnë dhe të kandidojnë për poste.

Të drejtën e votës për zgjedhjet europiane në moshë më të re, 16 vjet, e kanë qytetarët e Austrisë, Belgjikës, Gjermanisë dhe Maltës, ndërsa në Greqi mund të votojnë personat që i kanë mbushur 17 vjet. Në të gjitha shtetet e tjera anëtare një person mund të votojë pasi t’i ketë mbushur 18 vjet.

Në numrin më të madh të shteteve anëtare të BE-së (15) kandidatët për eurodeputetë duhet të kenë mbushur 18 vjet, ndërsa në 9 prej tyre duhet të kenë mbushur 21 vjet. Rumania, Greqia dhe Italia kërkojnë pjekuri më të madhe për të vendosur për çështjet evropiane, të paktën kur bëhet fjalë për moshën, kështu që në Rumani kandidati për eurodeputet duhet të ketë mbushur së paku 23 vjet, ndërsa në Greqi dhe Itali – 25 vjet.

Ajo që është interesante është se në katër shtete anëtare të BE-së votimi është i detyrueshëm – Belgjikë, Bullgari, Greqi dhe Luksemburg.

Në fund, jo të gjithë do të dalin në votime në të njëjtën ditë. Këtë vit zgjedhjet do të mbahen nga data 6-9 qershor. Numri më i madh i qytetarëve të BE-së do të votojnë më 9 qershor. Më 6 qershor të parit dhe të vetmit do të votojnë Holandezët, pas tyre irlandezët më 7 qershor. Çekët do të mund të votojnë më 6 dhe 7 qershor, në Letoni, Maltë dhe Sllovaki do të votohet më 8 qershor, ndërsa italianët do të mund të votojnë më 8 dhe 9 qershor.

Parlamenti Evropian që në vitin 2022 ka bërë një propozim për rregulla të reja zgjedhore që kanë për qëllim krijimin e një hapësire të vetme politike evropiane. Ne mesin e propozimeve të bëra janë edhe ato për unifikimin e moshës për fitimin e të drejtës së votës (propozimi është në 16 vjet) dhe të drejtës për t’u zgjedhur në Parlamentin Evropian (në 18 vjet). Propozohet të votohet në një ditë – më 9 maj. Në mesin e propozimeve më ambicioze është propozimi për dy njësi zgjedhore – një në nivel evropian dhe një në nivel kombëtar, që do të thotë që të votohet edhe për listat e përbashkëta evropiane edhe për listat e veçanta kombëtare.

Kjo, nga ana tjetër, nënkupton edhe lista përkatëse të votuesve, pra krijimin e një liste zgjedhore evropiane, krahas atyre kombëtare. Kjo e imponon nevojën e krijimit të një autoriteti të veçantë zgjedhor evropian, të propozuar në rregullore. Megjithatë, këto propozime mbeten për t’u debatuar për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentit Evropian.

Bashkimi Evropian (BE)Malinka Ristevska JordanovaParlamenti Evropian (PE)