“Dredhit’ e Patukut” një sfidë gjuhësore dhe udhëtim kohor në kohën e Fishtës, u shfaq premiera në Tetovë

Komedia” Dredhit’ e Patukut” e bazuar në komedinë e Molierit “Dredhitë e Skapinit” me autor Gjergj Fishtën dhe interpretimin regjisorial të Kushtrim Bekteshit ishte një udhëtim kohor mbresëlënës përmes veshjeve, karaktereve dhe narratorit dhe konceptin e detajeve regjisoriale. Publiku reagoi shumë mirë edhe pse një nga sfidat ishte gjuha e folur fishtiane, njofton Portalb.mk.

10 shtatori solli premierën e katërt të Teatrit të Tetovës me të cilën edhe u hap Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Tetovës. Ishte shfaqja „Dredhit’ e Patukut„ teksti i panjohur i Fishtës i jetësuar për herë të parë në Teatrin e Tetovës.

“Escapio (ai që ik, nuk kapet) – Skapin” personazhi i Molierit është një shërbëtor i cili e njeh mirë artin e mashtrimit, dredhive dhe u del në ndihmë të gjithëve me intrigat e veta. Edhe kjo komedi e intrigës e bazuar te Molieri e sjellë nga Fishta i përmbush kriteret e një teksti dramaturgjik që ofron një humor të rafinuar pa banalitete.

Aktorët të gjithë pa përjashtim e përmendën se një nga sfidat ka qenë mësimi i të folurës së Shkodrës.

Arsim Fazlija që erdhi në rolin e Patukut tha se ka qenë një transformim i madh për të dhe një rol shumë i vështirë por që me shumë punë u arrit. Arsimi u sfidua edhe në komedi edhe pse jemi mësuar ta shohim në role serioze.

Arsim Kaleci – Tukja dhe Elmir Sejfullai– Gjoka luajtën mjeshtërisht baballarët që janë vegla të Patukut prej ku nxjerrin lekë.

Të dy thanë se pas këtyre roleve duhet shumë punë dhe se për ta ka qenë një përvojë ndryshe dhe role krejt ndryshe në bagazhin e tyre profesional.

Kostumet nga Emira Ymeri, skenografia nga Betim Zeqiri ishin element i rëndësishëm i udhëtimit kohor.

Arta Zejneli– Lini dhe Ermal Çanga – Leci ishin dy fëmijët e mbrapsht që kishin luajtur kumar dhe ishin fut në borxhe derisa prindërit kishin munguar në shtëpi. Sigurisht krejtësisht ndryshe nga ajo që janë në jetën e përditshme por me shumë humor thanë se janë ndier mirë në këto role, sidomos Arta e cila luajti rolin e burrneshës dhe zhdëpte burrat, madje kishte nën komandë dhe intrigantin Patuk. Po ja, që frika nga baballarët i bën që të kërkojnë ndihmën e Patukut që përmes artit të tij të mashtrimit të nxjerrin para për t’i paguar borxhlinjtë.

Sami Mustafa – Nushi dhe Abdulla Osmani– Keli janë bashkë-ndihmësit e Patukut me ndihmën e të cilëve do t’i sjellë në jetë skenarët e mbrapshta. Role që ngjallnin shumë të qeshura si nga aparenca po ashtu dhe nga veprimet e teksti.

Një rol me rëndësi dhe shumë i këndshëm ishte ai i Ltinit i luajtur nga Blerim Ismani, të huajit që vjen në Shkodër pas antikuareve dhe imagjinojeni këtë personazh në duart e një intriganti që ” qeth” mjeshtërisht si Patuku.

Sheqerije Iljazi luante Narratorin rol i shtuar ky nga regjisori Kushtrim Bekteshi që sjellë detaje të vërteta mbi mënyrën si u gjet teksti i Fishtës pasi në kohën e komunizmit dihet se tekstet e tij ishin të ndaluara, digjeshin dhe kjo komedi mbijetoi megjithatë e ruajtur nën dërrasat e shtëpisë. Është fakt i vërtetë se fotoja dhe pozicionet e fotografisë të trupës amatore që e kanë luajtur shfaqjeн kanë qenë të njëjta me atë që e kanë imituar aktorët. E vetmja fotografi e mbijetuar.

Por, pjellë e imagjinatës është krejt tjetra që regjisori e ka çuar më tej ngjarjen duke na sjellë dhe vet trupën që e ka luajtur këtë komedi në atë kohë dhe që përmban shumë detaje interesante si publik që paguanin bileta me bulmete, dy aktorë në shfaqje që s’ kanë folur dhe kur kanë luajtur në shfaqje asnjëherë s’janë parë në sy, një aktor që e harron tekstin por e ka të shënuar në çdo rekuizitë të shfaqjes, dhe pjesa më komike ishte kur ai i dehur ngec me tekstin te një fjali ” unë nuk ia bëj hallall” duke e kthyer disa herë shfaqjen.

Reprizat priten në ditët në vijim.

Muzika nga kompozitorja Teuta Halimi Selmani dhe pikturat nga Bilgaip Koçishte– Bige i jepnin pasuri shfaqjes. Afishen e shfaqjes e ka punuar Nagip Ismaili Nagi.

Teatër shfaqje teatroreTeatri i Tetovës