Donald Trump pranoi emërimin e partisë si kandidat për president

Kuvendi Kombëtar i Republikanëve u përmbyll të enjten mbrëma me një fjalim nga i emëruari zyrtar i partisë, ish Presidenti Donald Trump. Ai qëndroi në audiencë duke shikuar kuvendin gjatë tërë javës, por të enjten ai mbajti fjalimin e parë publik që kur ai ishte shënjestër e një përpjekje atentati të shtunën e kaluar, raporton Zëri i Amerikës.

Pritshmëritë mbi fjalimin e ish-presidentit Donald Trump ishin të mëdha, duke marrë parasysh atë që ndodhi pesë ditë më parë, atentatin kundër tij. Donald Trump e nisi fjalimin me një ton më të butë, zë më të ulët dhe reflektues, rreth dhimbjes që tha se ndjeu në tubimin e së shtunës.

“Ishte plumb, nuk mund të ishte gjë tjetër – vendosa dorën në vesh dhe pashë që e kisha të mbuluar me gjak”, tha ai.

Gjatë kësaj jave në Kuvendin e republikanëve, fotografitë nga përpjekja e fundjavës për atentat ndaj tij u kujtoi çdo ditë delegatëve kandidatin e tyre – të fuqishëm, të qëndrueshëm, e që nuk u ndal nga plumbi i atentatorit. Ai premtoi se këtë fuqi do ta zgjerojë përtej kufijve, nëpër botë. Zoti Trump tha se as lufta në Ukrainë dhe as konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit nuk do të kishin ndodhur gjatë mandatit të tij.

“Një spektër në rritje i konflikteve po mbizotëron mbi Tajvanin, Korenë, Filipinet dhe tërë Azinë. Planeti ynë është në teh të Luftës së Tretë Botërore. Kjo do të jetë një luftë e pashembullt për shkak të armëve”, tha zoti Trump.

Pas atentatit në Pensilvani, zoti Trump e rishkroi fjalimin. Tashmë ndryshimet janë të dukshme, me më shumë ngjyrime fetare, duke marrë parasysh sa shumë iu afrua vdekjes.

“Qëndroj para jush në këtë arenë për shkak të mëshirës së të madhit Zot”, tha ai.

Zoti Trump, u shpall fajtor nga një juri në Nju Jork për 34 akuza penale. Ai akuzoi administratën e Presidentit Biden për keqpërdorim të sistemit të drejtësisë, për rritjen einflacionit dhe që u hapi siç tha kufirin kriminelëve.

“Në duam që njerëz të vijnë në vendin tonë, por duhet që ata të vijnë këtu ligjërisht”, deklaroi ai.

Në kuvend ishte dhe senatori i Ohajos J.D Vance, përzgjedhur këtë javë si kandidati për nënpresident nga zoti Trump. Edhe bashkëshortja e zotit Trump, Melania Trump, bëri paraqitjen e parë në Kuvend.

Nga ky Kuvend, dyshja Trump-Vance do ta bartin këtë mesazh në pjesët qendrore të Shteteve të Bashkuara ndërkohë që vazhdojnë fushatën zgjedhore nëpër vend.

Donald Tramp (Trump)Shtëpia e Bardhë SHBAShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)