Dita e 35-të e protestës në Tiranë, aktivistë, qytetarë dhe të ardhur nga diaspora u mblodhën para Kryeministrisë

Protesta qytetare kundër qeverisë së Shqipërisë ka hyrë këtë të shtunë në ditën e saj të 35-të ndërsa tubimit i janë bashkuar qytetarë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vende të ndryshme të botës, transmeton Euronews.al.

Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, dhjetëra qytetarë nga diaspora janë mbledhur fillimisht në Shkodër, përpara se të niseshin drejt Tiranës. Ata kanë udhëtuar me automjete të zbukuruara me flamurin kuqezi, duke iu bashkuar më pas protestuesve në tubimin e mbrëmjes.

Kjo ditë e 35-të e protestës përkonte me datëlindjen e 62-të të kryeministrit, ndërsa shumë prej protestuesve kishin sjellë me vete torta simbolike, në të cilat ishin shkruar mesazhe ku i kërkohej dorëheqja. Në tortën e një qytetari shkruhet: “Populli të uron, jep dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete”. Në një tortë tjetër shkruhet “Torta sot, dorëheqja nesër”, ndërsa një nga aktivistët tha se kjo do të jetë ditëlindja e fundit e tij si kryeminsitër.

Pjesëmarrësit deklarojnë se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara në raport me protestat e mëparshme, ndërsa këtë herë kanë përcjellë edhe një mesazh simbolik në ditën e lindjes së kryeministrit.

Nga mikrofonat, si dhe nga vetë protestuesit, është artikuluar gjithashtu edhe thirrja e përsëritur “Rama, jepe dorëheqjen”, e cila është bërë një nga sloganet kryesore të kësaj proteste.

ShqipëriaZvernec Protesta