Diskutim: Në RMV nevojitet depolarizim i shoqërisë, sundim i ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe reforma në administratë

Instituti për Media dhe Analitikë IMA, në kuadër të projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile”, sot në Shkup e promovoi publikimin “Brenda (jashtë) fokusit mediatik: Institucionet demokratike, sundimi i ligjit, reformat në administratë” – raport nga monitorimi mediatik i temave: “institucionet demokratike”, “sundimi i ligjit” dhe “reforma e administratës publike”, transmeton Portalb.mk.

Pas fjalimit hyrës nga E.S Véronique Hulman, Ambasadore e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, vijoi panel – diskutimi, i cili përfshiu prezantime nga Sllavica Gërkovska – Zëvendëskryeministre e Qeverisë përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Aleksandar Kërzhallovski – drejtor i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Dr. Katerina Kollozova – drejtoreshë e Institutit për Shkenca Sociale dhe Humane – Shkup (IShSH-Sh) dhe Zharko Trajanoski – drejtues i hulumtimeve në IMA.

„Në një shtet demokratik, shoqëria civile dhe media kanë një rol thelbësor për të luajtur. Në veçanti, për të monitoruar performancën e institucioneve shtetërore dhe politikanëve dhe për të kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie; të monitorojnë përdorimin e fondeve dhe zbatimin e projekteve; t’u japin zë grupeve të ndryshme, në veçanti të grupeve të ndjeshme, grave, të rinjve, pakicave dhe të sigurojnë që vendimmarrësit të marrin parasysh edhe interesat e atyre që kanë më pak pushtet; dhe, të avokojnë për zhvillimin dhe zbatimin e politikave efektive dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi në fjalimin e saj ambasadorja zvicerane Hulman.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se në opinion vështirë depërtojnë temat që kanë të bëjnë me vlerat demokratike dhe nevojën për forcimin e të ashtuquajturave shkathtësi të buta, të cilat janë thelbësore për të përmirësuar kapacitetet njerëzore në institucione.

“Jam e vetëdijshme se përpjekjet që ndërmarrim përmes politikave dhe masave specifike për të inkorporuar në sistem parime si etika, përgjegjësia, llogaridhënia ndonjëherë duken naive, sidomos kur i vendosim në kontekstin e rasteve specifike ku ka dështuar drejtësia. Por pikërisht mungesa e vetëdijes për dëmshmërinë e sjelljeve të papërgjegjshme, joprofesionale dhe të paligjshme është një nga arsyet e tolerancës së lartë ndaj korrupsionit në shoqëri. Prandaj jam e bindur se paralelisht me reformat në fushën e sundimit të ligjit duhet të punojmë në vazhdimësi në ndryshimin e botëkuptimeve”, potencoi Gërkovska.

“Si një demokraci ende e re, Maqedonia është larg kulturës së respektit ndaj kundërshtarit politik, madje edhe më larg nga toleranca ndaj mendimeve të ndryshme. Fatkeqësisht, kjo u konvenon partive për të fituar përkrahës (dhe është gjithashtu një trend global), dhe fatkeqësisht mediat nuk po bëjnë sa duhet për të dekurajuar një retorikë të tillë – do të përmendja shembujt me konferencat e pakuptimta për shtyp dhe njoftimet partiake”, bëri me dije në diskutim drejtori i QMBN, Aleksandar Kërzhallovski, duke iu referuar polarizimit të dukshëm politik në shoqëri.

Drejtoresha e IShSH-Shkup,  Katerina Kollozova, bëri me dije se sipas gjetjeve të Studimit Bazë të prodhuar nga ky projekt, qasja ndërsektoriale praktikisht ende mungon në planifikimin e politikave, gjë që shihet edhe nga vetë-prezantimi i vendit si dhe nga përgjigjet e Komisionit në Raportin e Skriningut për Maqedoninë e Veriut, botuar në korrik 2023.

“Klasteri 1, Themelet, përshkon të gjitha klasterët tjerë të reformave sektoriale, e me këtë, qeverisja e mirë dhe drejtësia administrative janë gurthemeli i institucioneve evropiane dhe demokratike. Në dukje, zgjedhjet demokratike dhe një sistem adekuat zgjedhor janë minimumi i kritereve të Kopenhagës. Shumë më tepër se kaq, institucionet demokratike janë materializimi i vlerave themelore në sektorin e përgjithshëm publik, e motori lëvizës i tyre është metodologjia ndërsektoriale (“e klasterëve”)”, theksoi Kollozova.

“Mediat nuk janë mjaftueshëm të fokusuara në temat: institucionet demokratike, sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, reforma në administratën publike, digjitalizimi, si tema që janë me interes të veçantë për qytetarët dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Mediat gjatë pasqyrimit të këtyre temave jo gjithmonë i përmbahen parimit të verifikimit të fakteve, nuk ofrojnë mjaftueshëm burime kritike nga shoqëria civile dhe deklarata të drejtpërdrejta nga qytetarët dhe raportojnë në një gjuhë që nuk është e kuptueshme mjaftueshëm për qytetarët”, vlerëson Zharko Trajanoski nga IMA, autor i publikimit që u promovua në këtë ngjarje.

Publikimi dhe panel – diskutimi që u mbajt sot janë pjesë e aktiviteteve të projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile”, i cili zbatohet nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane – Shkup, Instituti për Media dhe Analitikë IMA, Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) dhe Shoqata e Qytetarëve për Sëmundje të Rralla “Jeta me Sfida”. Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Qeveria e Zvicrës përmes programit CIVICA Mobilitas. Qëllimi i projektit është dialogu kritik dhe i informuar, monitorimi, analiza dhe avokimi i politikave, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të pushtetit ekzekutiv për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Korrupsion - RyshfetReforma në administratëSlavica Grkovska Sllavica