Diplomacia kibernetike

Historikisht diplomacia tradicionale e ka pasur rolin qendror në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me zhvillimin e shpejtë të internetit dhe teknologjisë, mjetet dhe metodat e diplomacisë në zgidhjen e mosmarrëveshjeve ndryshuan shumë. Pasi çdo gjë është shndërruar në një databazë globale, sulmet kibernetike janë më të lehta për tu bërë. Për t’i zgjdhur konfliktet post- kibernetike, shtetet i vënë në funksion “diplomatët kibernetik” ose diplomacinë e clia në teori përkufizohet si “diplomaci që përdor burimet diplomatike për të siguruar interesat kombëtare në lidhje me hapësirën kibernetike dhe zbatimin e marrëveshjeve”.

Para së të kalojmë në rëndësinë e diplomacisë kibernetike në politikën ndërkombëtare, duhet ritheksuar se pas vitit 1945 rendi ndërkombëtar liberal u mbështet kryesisht në fuqinë e botës perëndimore, vlerat liberale dhe institucionet ndërkombëtare të dominuara po nga shtetet e Perëndimit. Viti 1990 solli një rrokullisje të madhe në politikën botërore. SHBA mbeti e vetmja superfuqi botërore, mirëpo marrëdhëniet ndërkombëtare në fund të dekadës së tretë të shek. të 21 po bëhen jo aq të ndikuara nga bota liberale ashtu siç ishin dikur pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), ku çdo gjë duhej të kalonte në sitën e SHBA-së, Anglisë, Francës dhe shteteve tjera të Perëndimit. Rendi i ri ndërkombëtar pas rritjes së Kinës dhe fuqisë së saj kibernetike bashkë me Iranin besohet se do të jetë më pak liberal. Do të karakterizohet me disa shtete të fuqishme që bëjnë shpërndarjen e fuqisë në disa qendra dhe e përqëndruar në disa pjesë të globit kryesisht mendohet në Azi dhe në Amerikën Latine pa harruar këtu SHBA, BE-në dhe Rusinë. Në këtë kontekst, ka shumë gjasa që diplomacia kibernetike të vihet në shërbim para se konfliktet në mes shteteve të ndodhin.

Gjatë shek. të 20, sulmet kibernetike ishin shumë pak të theksuara në radarin e qeverive. Luftërat tradicionale ishin të paparashikuara ose kishte pak mundësi që pala kundërshtare të kishte njohuri për sulmin e mundshëm nga një shtet armiqësor. Sot kur çdo gjë po digjitalizohet dhe hapësira po bëhet vend për betejat e ardhshme në mes superfuqive, një sulm nuk mund të ndiqet ose parashikohet lehtë. Në rast të një konflikti të mundshëm në mes shteteve si p.sh. për të rrëzuar satelitët nga orbita ose sulm në infrastrukturën kritike, këtu rol kryesorë do të kenë diplomatët e fushës kibernetike që njëherit nënkupton përdorimin e burimeve diplomatike për të siguruar interesat kombëtare dhe paralelisht për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Në dekadën e fundit, qeveritë kanë krijuar “zyra kibernetike” dhe kanë emëruar gjithashtu “diplomatë kibernetikë” në mënyrë që “t’i përgjigjen politizimit në rritje të hapësirës kibernetike dhe dinamikave tekno-gjeopolitike”.

Qeveritë e Ballkanit Perëndimor në mungesë të kapaciteteve për tu mbrojtur nga sulmet kibernetike janë larg përgatitjeve teknike dhe njerëzore për vendosjen e diplomatëve të këtij lloji. Shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë anëtare të NATO-s, janë plotësisht të varuara nga aftësitë dhe mjetet e aleancës në fushën kibernetike dhe presin që konfliktet dhe sulmet të zgjidhen po nga NATO dhe diplomacia perëndimore. Por, kjo nuk duhet të jetë ashtu, pasi në kohë të vështira për të gjithë e nesërmja mund të bëhet edhe më e vështirë për shtetet e Ballkanit. Qeveritë duhet të bëjnë çmos që në dekadën e katërt të këtij shekulli të bëjnë aftësimin e ekipeve në fushën kibernetike duke krijuar kuadro të quajtur “diplomatë kibernetikë”.

Në një botë ku shumë vende po fitojnë aftësi kibernetike sulmuese dhe mbrojtëse, diplomacia kibernetike është e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin ose atribuimin e gabuar të sulmeve kibernetike. Sulmet e fundit në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut vërtetojnë se sa lehtë institucionet publike dhe infrastruktura kritike mund të preket. Dëmet mund të jenë të mëdha nëqoftëse sulmi do të jetë i drejtuar kundër sistemit energjetik, ujit, centraleve bërthamore, pendave dhe pjesëve tjera vitale për shtetin dhe njerëzimin.

Në rastet kur kemi një sulm të tillë, është mirë që një shtet të bëjë të gjitha përpjekjet që të adresojë akuzat ndaj një shteti apo grupi që me të vërtetë është përgjegjës për sulmin kibernetik. Pasi fusha kiberentike nuk ka edhe aq shumë norma ndërkombëtare, mbetet që aktorët të paktën ato shtetërorë të sillen me përgjegjësi në skenën ndërkombëtare. Konventa Digjitale e Gjenevës në raste të tilla të sulmeve kibernetike vjen shumë pak në shprehje. Adresimi i dallimeve duhet bërë me anë të dialogut dhe ndërmjetësimit para se mosmarrëveshjet të kalojnë në fushën kibernetike, ku fundja edhe aty diplomatët duhet përsëri të gjejnë një zgjidhje para shpërthimit të një lufte të përgjithshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi