Dinamika gjeoekonomike në Ballkanin Perëndimor

Ndërsa paqëndrueshmëria dhe luftërat vazhdojnë, gjithashtu jemi dëshmitarë të veprimeve të ngjashme për destabilizimin e Ballkanit. Në vend që të shkruajmë për përparimin ekonomik, në fakt duhet të kthehemi dhe të
shkruajmë për tablonë e vështirë të Ballkanit. Pavarësisht nga incidentet e fundit në Kosovë, shtetet e Ballkanit duhet të shikojnë nga gjeoekonomia.

Në këtë rast, tre shtete janë si pika të nxehta gjeoekonomike duke nisur nga Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi, ekonomia e të cilave është pjesë e aktorëve rajonalë dhe globalë. Rajoni i Ballkanit përveç rëndësisë historike dhe gjeografike luan një rol të rëndësishëm në tregtinë rajonale, investimet e palëve të treta, në energjinë dhe në fushën e teknologjisë informative. Shtetet aktuale aspirojnë të bëjnë më shumë, duke u integruar në fushën gjeoekonomike me anë të tërheqjes së shteteve të fuqishme ekonomike. Kësaj here po sjellim në vëmendje gjeoekonominë, ku shtetet e nënvizuara më lartë po eksplorojnë mënyra për të maksimizuar fuqinë politike duke shfrytëzuar kapacitetet ekonomike në marrëdhëniet ndërkombëtare. Duhet theksuar se gjeoekonomia në Ballkan është një çështje shumëdimensionale që ndërthur politikën, historinë dhe çështjet e hapura rajonale. Disa shtete të Ballkanit kanë sfida të përbashkëta ekonomike e disa jo. Dhe kjo ka të bëjë me qëllimet e politikës së jashtme e në veçanti asaj ekonomike. Në përgjithësi shtetet e Ballkanit kanë shifra të larta të papunësisë, kanë stabilitet të brishtë politik-etnik dhe mungesë të investimeve të huaja. Të njëjtat qeveri siç dihet tashmë që nga 1991 përveç BE-së kanë edhe qëllime të tjera strategjike, si lidhjet me botën e aziatike dhe Lindjen e Mesme.

Aty qeveritë kanë bërë llogaritje për partneritete strategjike afatgjate duke marrë kredi dhe shpresuar investime në fushën e sigurisë. Përveç Kinës dhe shteteve të Lindjes së Mesme, një rol të veçantë gjithashtu luan Turqia e cila ka arritur të depërtojë dhe rrisë shkëmbimin tregtarë me shtetet e rajonit e këtu posaçërisht me Serbinë. Siç thamë më lartë, Ballkani nuk është i vetëm në këtë lojë gjeoekonomike, fuqitë e tjera globale janë të përfshira në këtë lojë. Të shkojmë me radhë e të shohim se si këta shtete po lëvizin në Ballkan. Pas BE-së dhe Kinës, Rusia në nivele të ndryshme ka ndjekur shtetet e Ballkanit duke ndikuar në jetën politike, fetare dhe ushtarake. Deri më tani, BE-ja e ka parë Ballkanin si të rëndësishëm për stabilitetin jo vetëm të Evropës. BE-ja ka ofruar anëtarësimin në union si
një mënyrë për të shpejtuar reformat e qeverive ballkanike, dhe si një mburojë kundër Rusisë dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë dhe gjeoekonomikë.

Mirëpo, kundër projekteve të BE-së, Rusia ka vazhduar të ruajë dhe zgjerojë ndikimin e saj nëpërmjet aleancave politike-fetare. Kina deri më sot ka bërë investime në fushën e infrastrukturës ballkanike duke dhënë kredi me
interes të lartë. Në këtë mënyrë qeveria kineze ka bërë kapjen e qeverive të brishta të Ballkanit. Investimet kineze nuk janë parë më sy të mirë as nga BE-ja dhe nga SHBA. Disa prej këtyre investimeve dhe kredive kanë pasur
kosto të lartë, kanë qenë të pasigurta, dhe nuk kanë përfunduar si projekte. Për të parandaluar këtë lojë ekonomike kineze, zgjerimi i BE-së në Ballkan nga Brukseli dhe Uashingtoni është parë si  domosdoshmëri.

Përkundër rritjes së kritikave ndaj BE-së se ka nevojë për reforma të brendshme, dhe nuk ka bërë shumë për Ballkanin, BE-ja ka mbështetur rajonin me mjete të mëdha financiare dhe projekte konkrete. Kritikat e disa
drejtuesve të rajonit nuk kanë vend, pasi BE-ja me të gjitha vështirësitë ka dërguar miliona euro për shtetet ballkanike. Debati se ku qëndron problemi në BE apo në Ballkan, mund të dalë prej kontrolli nga skenarët e
ndërlikuar gjeopolitikë dhe ekonomikë që në fakt mund të vonojnë edhe më shumë integrimin. Disa shtete të Ballkanit si Shqipëria dhe Mali i Zi kanë gjasa që deri 2030 të bëhen anëtare të BE-së. Të tjerët janë zhytur në
zënka ndërshtetërore si Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Pasi shtetet janë në garë të përhershme ekonomike, një rrugë e mirë që duhet të ndjekin qeveritë ballkanike, është bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregtare, e që mund të shfrytëzohen si mundësi drejt pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve të këqija. BE-ja dhe SHBA-ja në këtë drejtim kanë bërë shumë duke investuar në krijimin e “Tregut të Përbashkët Rajonal” për Ballkanin. Se sa do të
shfrytëzohet apo keqpërdoret po nga qeveritë ballkanike mbetet të shihet, pasi në të njëjtën kohë disa shtete si Serbia dhe Maqedonia e Veriut mund të shfrytëzojnë fondet e BE-së, dhe në anën tjetër të bëjnë pazare me shtetet e botës aziatike, duke mos i përmbushur qëllimet dhe obligimet ndaj BE-së.

Duhet nënvizuar se në ekonominë politike, marrëveshjet tregtare janë pjesë kryesore e gjeoekonomisë. Andaj shtetet e vogla duke qenë pjesë e aleancave politike, ushtarake dhe ekonomike mund të përfitojnë shumë. Këtu
si shembull mund të sjellim “Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore” (CEFTA) e cila përfshin disa shtete të Ballkanit. Tarifat e ulëta dhe rritja e tregtisë ndërmjet shteteve anëtare të CEFTA-s mund të çojë në
rritje ekonomike dhe mirëkuptim në mes kombeve. Por, në Ballkan dhe në zonat e prekura nga lufta dhe tensionet etno-fetare, gjithnjë ekziston rreziku që kombet e vogla të luftojnë në një tablo më të gjerë. Andaj për të konkurruar, po të njëjtit duhet ndjekin një rrugë të qartë të ngritjes ekonomike. Hyrja në këto gara gjeoekonomike kërkon vendimmarrje të zgjuar nga liderët. Se sa do të ecë përpara rajoni në këtë fushë mbetet të shihet përsëri nga integrimi në BE deri në 2030. Nëse kanë për qëllim dëmtimin e të tjerëve kjo do të bëhet më e qartë në vitet që vijnë, pasi shumë lëvizje në gjeoekonominë rajonale do të varen nga vendosja apo jo e tarifave të ndërsjellta në mes SHBA-së, Kanadasë, BE-së dhe Kinës. Pavarësisht ndikimeve të jashtme ekonomike, shtetet e Ballkanit kanë një eksport dhe import më të madh me BE-në dhe në mes veti. Kështu që gara gjeoekonomike e cila ka gjasa të bëhet më e ashpër deri në 2050, do të nxjerrë realitete të reja se në cilën anë janë rreshtuar shtetet në botën e re që po lind.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi