Dimitrieska-Koçoska: ‘TVSH-ja Ime’ do të vazhdojë të aplikohet, për fletobligacionin e qytetarëve do të duhet të kthehet besimi në sistem

Qytetarët do të vazhdojnë të përfitojnë nga masa TVSH-jaIme, ndryshime do të bëhen vetëm në pjesën e sistemit në kuadër të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Këtë e bëri të ditur ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në paraqitjen e saj publike në “Ditarin” e TV Sitel, transmeton Portalb.mk.

 “Masa TVSH-jaIme mbetet me të njëjtën vlerë për kthimin e TVSH-së kundrejt qytetarëve. Do të bëhen korrigjime të caktuara, të cilat nuk janë të lidhura direkt me qytetarët, por në mënyrë sistematike në kuadër të Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Shumë shpesh nga qytetarët kemi marrë informacion se kanë skanuar llogari fiskale që DAP-i i ka refuzuar pasi i ka llogaritur sikur nuk kanë qenë origjinale, janë raportuar në DAP dhe ndërkohë nuk është bërë asgjë”, tha ministrja e Financave.

Sa i përket obligacioneve të qytetarëve, si letra shtetërore me vlerë të destinuara për qytetarët, ministrja theksoi se nuk do të vazhdohet me emetimin e tyre derisa të rikthehet besimi në sistem.

“Edhe para se të bëhesha ministre theksoja se: që të kesh interes për blerjen e fletobligacioneve të qytetarëve, duhet të kesh besim tek institucioni. Ne duhet të tregojmë me veprime se në të vërtetë e realizojmë atë që kemi premtuar. Kur do ta ndryshojmë sistemin dhe kur ta kthejmë plotësisht besimin e qytetarëve në shtet, atëherë mund të flasim për fletobligacionin e qytetarëve, në këtë moment nuk mund të flasim për fletobligacionet e qytetarëve”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Masa e kthimi të 15% nga TVSH-ja e përllogaritur zbatohet që nga 1 korriku i vitit 2019, dhe siç u tha atëherë është në dobi edhe të qytetarëve edhe të shtetit. “Kjo masë gjithashtu do të ndihmojë në uljen e ekonomisë gri”, thanë atëkohë nga DAP-i.

Drejtoria për të Ardhura (hyra) Publike RMV (DAP)Gordana Dimitrieska KoçoskaMinistria e Financave (MF)TVSH