Dijana Toska: Jemi komb i vogël dhe i bekuar që brenda vetes mbajmë rrënjët e një “Nane’” që i përket botës

Dijana Toska është ikonë e gazetarisë shqiptare dhe e viteve kur konflikti në Kosovë të mbante sytë mbërthyer nga mediat. Ajo ushtroi rolin e gazetares me një profesionalizëm të rrallë. Në pamje e kuruar, ndryshe në paraqitje dhe në mendime. Veçantitë e saj janë të shumta, por ne po sjellim për lexuesit e Portalb.mk. pikëpamjet e saja mbi zbatueshmërinë e udhëzimeve të shenjtores tonë Nënës Terezë. 

Dijana Toska- Fotografi nga albumi personal, Koncerti me yjet botërore në Vatikan për nderë të shenjtërimit të Nënë Terezës

E edukuar në frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndër- njerëzor, me punën dhe formimin e saj, Dijana Toska ka sjellë në shoqëri edhe modelen e veprimtares që prodhon ide dhe i bën ato pronë të gjithë shoqërisë. Ky altruizëm sublim u vërejt së fundmi edhe me rastin e projektit të “Himnit të Nënës Terezë”, ide kjo që u lancua në publik nga Dijana si rrugëtregues se kah duhet të lëviz shoqëria jonë. Ky mesazh i dërguar nga ajo u pranua mjaft mirë nga publiku dhe nga segmente të ndryshme diplomatike, politike, kulturore, vendore e ndërkombëtare. Është producentja e parë shqiptare që ideoi dhe organizoi koncertin me yjet e njohura shqiptare në botë në vigjilje të Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan, për çka u dekorua me shumë mirënjohje .

Ajo të kujtohet e para sapo përmendet emri i Nënë Terezës, por si e percepton ajo shenjtëreshën e përbotshme dhe misionin e saj fisnik, do të kuptoni në vazhdim.

Jemi ndër popujt më me fat që kemi një figurë si Shën Tereza?

Jemi komb i vogël dhe i bekuar që brenda vetes mbajmë rrënjët e një ‘’Nane’’ që i përket botës. Të identifikohesh si popull i Nënë Terezës natyrshëm do të vishesh me petkun e humanitetit, bamirësisë, harmonisë dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin, këto do të duhej të jenë vlerat tona morale që do të duhej të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë si komb. Këto vlera universale i kemi amanet nga Nana Jonë dhe nuk guxojmë si pasardhës me asnjë kusht t’i neglizhojmë, nëse thellë në zemër e ndjejmë dashurinë e respektin, për Shenjtoren tonë. Gonxhja e kishte ruajtur shqipen e saj të fëmijërisë, që mbase ishte gjuha e komunikimit me nënën Drane. Gonxhja theu ligjin e fesë për popullin e saj. Gonxhja thoshte me mburrje, ia kam dhënë Besën e shqiptarit Zotit për me prue dashni dhe paqe në botë.

Do ta quanim misionin e saj të mbaruar si popull nëse edhe do i kishim zbatuar këshillat e saj?

Misionet që i përkasin njeriut për t’i shërbyer falas me gjithë zemër, përderisa të ekzistojë njerëzimi nuk do të duhej të mbarojnë. Nënë Tereza, thoshte, “Ne kemi obligim të kujdesemi të paktën vetëm për një të varfër, kjo është baza për paqen në botë, dhe njëherit lufta kundër egoizmit. Nuk mund të flasim për paqen, nëse nuk i kontribuojmë paqes dhe mirëqenies, paqja në botë fillon me respektin për jetën dhe me respektin për çdo qenie njerëzore në çfarëdo gjendje që të jetë”. Nuk ec bota para, kur njeriu kërkon vetë të drejtën e tij, pa i dhënë drejtësi atij tjetrit. Ajo, nuk merrej me politikë por shumë probleme delikate politike i zgjidhte duke lidhur të mundurën me të pamundurën, duke futur në mes luftës të shenjtën dashuri. Kur një pasanik i tha Nënë Terezës, “se as për një milion dollarë nuk do të prekte një lebroz”, ajo u përgjigj. “As unë, as për dy milion nuk do ta prekja. Por, unë e prek e ledhatoj me kënaqësi këtë njeri për dashurinë e zotit”. Ky qëndrim unikal ishte revolucioni moral, ishte beteja e parë në historinë e njerëzimit i cili po sfidonte drejtpërdrejt rendin botëror, me gjithë sistemet dhe strukturat që po i jepnin përparësi pasurisë dhe të mirave materiale karshi shpirtit dhe dinjitetit njerëzor.

Dijana Toska- Fotografi nga albumi personal

“Çdo njeri i zhveshur nga dinjiteti njerëzor, i harruar apo i braktisur, pa ndjenjën e përjetimit të dashurisë njerëzore është i varfër nga më të varfrit dhe bota jonë sot po vuan për mungesë të vëmendjes dhe dashurisë”, ishte mesazhi më i shpeshtë që Nëna Terezë e përsëriste në çdo cep të botës ku ajo shkonte.

Nëna Tereza mbetet shkenca më origjinale e njerëzimit e cila me veprat e saja sfidoi universin. Fitoi çmimin ‘’Nobel’’ për paqe dhe ua dedikoi të varfërve të saj, duke dëshmuar edhe një herë se njerëzorja është më e fuqishme dhe duhet të qëndrojë mbi paranë. Para kësaj gruaje shqiptare me shtatë të vogël u përkulën burrështetasit më të fuqishëm të botës, duke e pranuar se njerëzimi ka nevojë për rindërtim shpirtëror. Vetëm edhe një lule trëndafili po të mbetej në këtë botë do të na e kujtojë Gonxhen Tonë, e cila me aromën e shpirtit të sajë ushqeu njerëzimin me dashuri. Kjo Lule e Bukur e Shenjë e Njerëzimit, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza!

Shkupi, vendlindja e Gonxhes nuk feston aq sa duhet dhe si e meriton figura e saj?

Nënë Tereza është boshti më i fuqishëm që mund të bëjë integrimin e brendshëm shpirtëror e kulturor të shqiptarëve.

Shkupi, organizon rrallë e përmallë ndonjë festim më shumë protokollar ku flitet për jetën dhe veprën e sajë dhe mediatikisht, jo se i jepet ndonjë rëndësi e veçantë.

Ne më shumë se festat kemi nevojë tejet të madhe si shoqëri për rindërtim shpirtëror të kombit për tu edukuar me humanizëm. Si komb historikisht kemi dëshmuar se në momente të vështira i dalim zot kombit, kemi shpirt solidar e human, por sikur gjithmonë na mungon një dikush për të na organizuar dhe udhëhequr. Ne ende nuk e kemi futur në procesin tonë arsimor edukatën humane si nevojë të domosdoshme për ta humanizuar së pari shoqërinë e më pas për ta edukuar ardhmërinë tonë. Kjo neglizhencë e papjekuri kombëtare nuk mund të na falet aq më parë kur as në librat e historisë nuk flitet për historinë e Nënë Terezës veprat e së cilës janë vetë historia botërore.

Dijana Toska- Fotografi nga albumi personal

Them gjithmonë se ti ke arritur të bësh bashkë gjithë egot shqiptare, ‘’vipa’’ e personalitete në Vatikan, egot e forta shqiptare zor bëhen bashkë hë ?

– Asnjëherë nuk është vështirë të realizosh një ide së cilës i beson dhe i qëndron besnike deri në fund, e sidomos kur ajo ide ka për qëllim ta iluminoj njerëzimin në një ditë historike të papërsëritshme në historinë tonë kombëtare, ditën e shenjtërimit të Nënës Terezë, më 4 shtator 2016 në Vatikan. Të gjithë të ftuarve ju dha rasti që në një ditë të veçantë si kjo të jenë protagonist dhe ti shërbejnë pa kurrfarë kompensimi, me shumë dashuri e respekt shenjtores së tyre, e cila me frymën e saj arriti t’i mbledhë si kokrrat e shegës nga e gjithë bota në prehrin e sajë. I kënduam në gjuhën e saj për t’ia hequr mallin e familjes, i recituan poezitë e saj për t’ia kujtuar madhështinë e saj, ja sollëm pranë atdheun e saj dhe nën tingujt e lahutës valëvitmë flamurin kombëtar të saj që e donte aq shumë. E përcollëm në jetën e pasosur duke i dëshiruar si komb, Amshim të Gëzueshëm me poezinë e sajë të shndërruar në Himn, “Valsi Hyjnor”, “Lamtumirë” që në ato çaste tingëllonte sikur këtë poezi ta kishte shkruar si 18 vjeçare, enkas për këtë ditë. Edhe egot e forta shqiptare, siç thoni ju, gjithmonë kanë nevojë t’i thonë dikujt faleminderit, ky ishte rasti, u bënë bashkë në një mision dashurie, i shërbyen me modesti e me dashuri të madhe. Mua më mbetet gjithmonë si organizatore t’i falënderojë dhe shpreh mirënjohjen time të thellë që më besuan dhe përkrahën në realizimin e kësaj kryevepre times jetësore.

Çfarë parimisht si komb kemi shkelur nga porositë e Shën Terezës?

Zoja e tokës dhe e qiellit tonë, na mësoi të mbjellim dashuri, por sikur nuk po ja dalim në përmbushjen e këtij misioni fisnik. Na ka përfshi politika dhe jemi bërë rob të sajë në realizimin e interesave të sajë. Pastaj, zhvillimi i teknologjisë ka zbehur tejet mase ato vlerat njerëzore që e bënin jetën të bukur duke na larguar nga njëri tjetri, duke na ftohur mes veti dhe duke na sjellë një jetë të zymtë në familje e shoqëri. Politika me sjelljet e saja jo vetëm ka helmuar ambientin, por në piedestal të veprimeve dhe qëllimeve të saja shoqërore si vlerë ka vendosur pothuajse gjithçka që nuk ka vlerë duke e rrëzuar për toke dinjitetin njerëzor. Në këso situata është shoqëria civile, intelektualët e rinia e sidomos gruaja që duhen të ngrihen mbi këtë gjendje, ti japin dritë e udhë jetës.

Ne kemi nevojë për rindërtim shpirtëror të kombit dhe Nënë Tereza është boshti më i fuqishëm që mund të na bëjë bashkë, t‘na e ngrit moralin e iluminoj mendjet tona. Ne kemi nevojë për pak marre, që të skuqemi e të djersitemi, që të bëhemi më të ndjeshëm e më të kujdesshëm kundrejt asaj që shohim e nuk veprojmë, kundrejt asaj që mundemi e nuk e bëjmë.

Secili prej nesh mund të ndajë kohë për kënaqësinë e tij personale dhe përmbushje shpirtërore, për të vizituar një dikend që ka nevojë për dashuri njerëzore.

Dijana Toska- Fotografi me Monsenjor Dom Lush Gjergji

Jetimoret janë plot e përplot me fëmijë, a nuk mund studentët e një universiteti të bëjnë një orar javor e të kalojnë një kohë për tua kthyer buzëqeshjen këtyre fëmijëve?

Shtëpitë e pleqve po shtohen, prindërit çdo ditë e më shumë po bëhen ngarkesë për fëmijët… a mundet forumet e ndryshme rinore të organizohen të luajnë një lojë shahu së paku një herë një javë me këta prindër që jetojnë larg nga oxhaku i shtëpisë pa dëshirën e tyre ?

Afro 10 për qind e popullsisë llogaritet të jenë me aftësi të kufizuara, a munden shoqatat e grave të organizojnë më shumë aktivitete në të mirë të nevojave të këtyre njerëzve?

Mediumet e politizuara kanë harruar misionin e tyre primar për të qenë në shërbim të qytetarit. Sa të nevojshme do të ishin emisionet motivuese për vullnetarizëm, për bamirësi, për vlera njerëzore dhe për njeriun në përgjithësi.

Nënë Tereza, këshillonte: “Duajeni njeri- tjetrin, siç ju do Zoti”! Ajo vetë ishte një dhuratë e Zotit për njerëzimin, ishte vetë arti i dashurisë. Filozofia e saj jetësore ishte.” Dhurata duhet të jetë më e vlefshme për dhuruesin se sa për atë që e pranon”.

Dashuria nuk na mungon por, nuk kemi ushqyer sa duhet vullnetarizmin brenda nesh për bamirësi!

Dijana Toska ka demonstruar një aktivizëm shumë inventiv në sensibilizimin ndërkombëtar të figurës së Nënë Terezës dhe me shembullin e saj personal si veprimtare dhe krijuese ka tejkaluar vetveten, duke qenë një model i avancuar i angazhimit shoqëror, në funksion të paqes dhe të mirës universale.

Himni i Nënës Terezë, si Kod Moral i Njerëzimit, i realizuar nga 200 artistë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria, bazuar në poezinë “Lamtumirë” që e shkroi Gonxhe Bojaxhiu në moshën 18 vjeçare. Momentalisht ajo punon në jetësimin e një projekti të ri për Nënë Terezën.

Barazi gjinoreKultura shqiptareKulturë lajmeNënë Tereza