Dhuna në Britaninë e Madhe dhe Ballkani: Rikthimi i kontrollit kufitar

Ndërsa vendet e Ballkanit vazhdojnë me disa reforma sipërfaqësore, dhuna në Britaninë e Madhe (BM) ka ngritur frikën në Evropë dhe Ballkan se një urrejtje kaq e madhe mund të shuajë ëndrrat jo vetëm të BE-së, por edhe të shteteve ballkanike. Kosova veriore, brishtësia në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje vazhdojnë ta mbajnë të paqartë të ardhmen e rajonit. Ngjarjet në BM mund të përhapen në vende të tjera të BE-së. Ndjenjat kundër të huajve po rriten, dhe jeta, puna dhe arsimimi në një mjedis të tillë bëhen të vështira, veçanërisht për refugjatët dhe komunitetet e tjera ku standardet në një shoqëri të helmuar nga padurimi bëhen të padukshme. Të jetuarit në një atmosferë të ashpër paragjykimi dhe urrejtjeje të përhershme me një mori problemesh sociale dhe gjeopolitike e bën kohezionin ndërmjet komuniteteve një mision të pamundur. Situata aktuale e BE-së dhe BM ka një shpjegim më shumë. Ajo ka një burim të hershëm konflikti të gjeneratave të para të vendosura në BM nga bota e saj koloniale, nga ish-blloku komunist, nga refugjatët e Lindjes së Mesme dhe së fundi me punëtorët sezonalë që krijojnë një rrjet kompleks interesash pa asnjë standard për jetën dhe konkurrencën.

Presioni i vazhdueshëm ndaj BE-së pas viteve 1991 dhe 2000 ka ardhur nga ish-republikat jugosllave. Për lexuesit tanë është e rëndësishme të veçojmë raportet e BE-së dhe Ballkanit, ku si pasojë e mungesës së një lidhjeje afatgjatë me mendësinë e popujve të Ballkanit, marrëdhëniet në tre dekadat e fundit janë vënë në sprovë disa herë, pasi përpjekjet e BE-së që rajoni i Ballkanit të bëhet pjesë e unionit deri në vitin 2030, kanë hasur në pengesa nga vetë shtetet e Ballkanit. Në kuadër të paragjykimeve, ku përveç dhunës në rrugë, dhe jetës së padurueshme në qytetet urbane të Evropës, disa shtete për të ruajtur rendin dhe sigurinë, ka shumë gjasa të kalojnë në fazën e shtrëngimit të masave të kontrollit kufitar.

Kritikët e politikave liberale të BE-së thonë se unioni duhet të vendosë ligje për të ruajtur paqen brenda shteteve. Dhuna në BM dhe rritja e radikalizmit në vendet e BE-së po e detyrojnë Brukselin të rishikojë vendosjen e kontrolleve kufitare si një masë parandaluese kundër imigrimit të pakufizuar. Së shpejti një krizë mund të lindë në Ballkan, me refugjatë që vijnë nga Lindja e Largët. Në një krizë të madhe kontinentale, as BE-ja dhe as vendet e bllokut të NATO-s nuk mund të mbajnë një qasje kohezive të koordinuar, duke filluar nga brenda shteteve dhe përtej kufijve të shteteve anëtare dhe joanëtare. Nuk duhen shumë analiza për të arritur në përfundimin se siguria kufitare e BE-së, BM dhe shteteve të Ballkanit është vënë në sprovë. Shkurtimisht, Zona e Shengenit është në prag të kolapsit,
nëse regjimi i vjetër kufitar nuk forcohet ose kthehet. Gardhi kufitar i Polonisë dhe Hungarisë, së bashku me masat e rrepta të Greqisë që nga viti 2014, nuk kanë dhënë efekte të dukshme në parandalimin e migrimit të paligjshëm si një mënyrë për të parandaluar fenomene të tjera negative brenda vendeve evropiane.

BE-ja është përpjekur të ketë një qasje kolektive, por duket se vetë vendet anëtare të unionit duan të marrin në dorë çështjet e kufirit dhe sigurisë. Shtrëngimi i kufijve nuk është pritur mirë nga liberalët në BE, pasi ata e kanë parë këtë veprim si prioritet të sovranitetit kombëtar mbi sovranitetin e BE-së. Megjithatë, edhe kështu, nuk e bën, pasi BE-ja nuk mund të menaxhojë kufijtë në një shkallë të gjerë dhe aq më pak të ndikojë në vendet anëtare pavarësisht pranisë së Frontex-it.

Në BE kemi një garë mes rrymave politike që duan t’i japin më shumë prioritet rolit të unionit dhe atyre që duan të shprehet sovraniteti kombëtar. Në një garë të tillë, shumë politika të tjera të emigracionit kanë mbetur mënjanë, duke mos parë anën negative të krijimit të getove të reja.

Lufta mes grupeve liberale dhe konservatore padyshim ka pasur ndikim edhe në Ballkan, duke mbajtur gjallë historinë e ndërlikuar të rajonit, duke mbajtur gjallë dallimet etnike dhe fetare. Duke e mbajtur këtë temë të nxehtë, sigurisht që ka shumë pak hapësirë për respektimin e të drejtave të njeriut në kontekstin e të huajve në Ballkan dhe më gjerë.

Pasi dhuna në BM vazhdon, dhe situata nuk është aq e mirë në Kosovë dhe Bosnje, rivendosja e kontrollit kufitar si më parë po kthehet në një emergjencë kombëtare si kurrë më parë. Kriza e brendshme në BM zbuloi gjithashtu një “përçarje të vjetër midis shteteve të BE-së, të cilat kanë mbrojtur ndarjen e përgjegjësive në emër të të drejtave të njeriut, dhe shteteve të ish-bllokut komunist që kanë rezistuar në emër të sovranitetit”. Gjithashtu qasja e BE-së ndaj planifikimit dhe integrimit të emigrantëve po ecën shumë ngadalë. Frika nga përhapja e dhunës në BE është parë prej kohësh nga zyrtarët si skenari më i keq që mund t’i ndodhë BE-së dhe të tjerëve. Si domosdoshmëri po bëhet vendosja e kontrollit të rreptë kufitar në det dhe në tokë.

Zona e Shengenit ka një rol parandalues, por jo aq efektive sa duket. Të ndodhur në mes të procesit të integrimit të emigrantëve, dhe dëshirës për një Evropë të bashkuar, kërkesat për më shumë sovranitet kombëtar të shteteve të BE-së po rriten, ku po aty bën pjesë dhe kontrolli i kufijve si pjesë e sigurisë kombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi