Ka përfunduar autopsia e trupit të pajetë që u gjetë dje në afërsi të fshatit Negotinë, sipas gjetjeve fillestare, njofton prokuroria, ajo është privuar nga jeta me armë zjarri. Me urdhër të prokurorit publik po kryhen ekspertiza të gjurmëve të mbledhura nga disa lokacione, transmeton Portalb.mk.
“Po ashtu, po realizohen bastisje dhe po ndërmerren veprime të tjera hetimore. Paraburgimi afatshkurtër për të dyshuarin është vazhduar edhe për 48 orë të tjera, ndërsa prokurori publik i ka propozuar gjykatës paraburgim 48-orësh edhe për personin tjetër që dje ishte ndaluar në stacion policor”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kujtojmë se dje, SPB Tetovë – Zyra e jashtme për çështje penale Gostivar ngriti kallëzim penal kundër S.M. (53) nga fshati Negotinë, komuna Vrapçisht, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “vrasje” sipas nenit 123 të Kodit Penal.