Dëme të mëdha në bujqësinë e Tetovës pas reshjeve, autoritetet premtuan dëmshpërblim

Bujqit e Tetovës dhe rrethinës pësuan dëme të mëdha pas reshjeve të së dielës, kështu duke u përballur me humbje të mëdha. Autoritetet qendrore dhe ata lokale premtuan se këtë herë qytetarët do të marrin dëmshpërblim, raporton Portalb.mk.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Cvetan Tripunovski pas vizitës së disa nga fushave të dëmtuara në rajonin e Tetovës, paralajmëroi se do të ketë kompensime dhe se do të merren masa për sigurimin e sipërfaqeve bujqësore.

“Do të forcojmë masën për sigurimin e tokave bujqësore, sepse e dini ndryshimet klimatike po bëhen më të theksuara nga viti në vit. Masat tona që kemi planifikuar në programin parazgjedhor, ajo që do të praktikojmë tani është se kompensimi, d.m.th sigurimi do të jetë një nga masat, por edhe shumë elementë të tjerë shoqërues që do të nënkuptojnë mbrojtjen e tokave”, theksoi Tripunovski.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se nesër do të thirret Këshilli Komunal i cili do shpallë gjendje krize deh në bazë të cilit do themelohet komision që do dalë në terren dhe do bëjë vlerësimin e dëmeve që janë bërë në territorin e komunës, nëpër familje, uji që ka hyrë nëpër bodrume, ambiente shtëpiake dhe ka dëmtuar pronat e qytetarëve, por edhe në pjesën e dëmtimeve në tokat dhe në kulturat bujqësore.

“Garantojmë qytetarët që tani do merren masa reale dhe serioze në drejtim të dëmshpërblimit të qytetarëve, sepse përvoja e kaluar ka treguar se pushteti qendror nuk ka qenë i gatshëm që të bashkëpunojë me komunën për të mbuluar dëmet që u janë bërë qytetarëve në katastrofat e kaluara”, tha Kasami.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Jegunocit, Dimitar Kostadinovski theksoi se kanë formuar komisione, kanë dalë në terren dhe deri tani janë paraqitur rreth pesëdhjetë kërkesa jo vetëm nga Siriçina por edhe nga vendbanimet tjera.

“Presim që ai numër të rritet, realisht ai numër duhet të rritet për shkak të problemeve të qytetarët”, theksoi Kostadinovski.

Si pasojë e reshjeve të 23 qershorit, probleme të mëdha u shkaktuan në fushat bujqësore të rajonit të Tetovës Portalb.mk dokumentoi këto pamje.

Reshjet e shiut të së dielës shkaktuan dëme të mëdha në Tetovë dhe rrethinë, si rrugë të bllokuara, bodrume të përmbytura, u përmbytën edhe bodrumet e Spitalit të Tetovës, vetura me xhama të thyer, pemë të shkatërruara, dëme të mëdha në bujqësi dhe shumë të tjera.

Komuna e Tetovës ka formuar komision ku qytetarët mund t’i paraqesin dëmet nga reshjet. Ata duhet të marrin një kërkesë dhe ta dorëzojnë të plotësuar në arkivin e komunës. Qytetari duhet të paraqesë: fletëpronësinë/prova e pronësisë, fotografi të ndërtesës së dëmtuar, kopje e kartës së identitetit dhe kopje e llogarisë së transaksionit.

Bilall KasamiBujqësi - Bujk - FermerëCvetan TripunovskiKomuna e JegunovcësKomuna e TetovësMinistria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU)Përmbytje - VërshimeReshje shiuTetova