Delegacioni i Qeverisë së RMV-së me vizitë zyrtare në SHBA

Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me një delegacion nga Qeveria, në përbërje të të cilit janë ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski, si dhe ai i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, fillon vizitën zyrtare në SHBA, ku do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s dhe do të zhvillojë takime të shumta dypalëshe me liderë të lartë amerikanë dhe ndërkombëtarë. Në mesin e delegacionit të shpallur nga Qeverianuk ka asnjë shqiptar, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë VLEN thotë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si bartës i detyrës më të lartë shtetërore në pushtetin legjislativ, e ka agjendën e tij në Uashington, e cila organizohet që nga dita e zgjedhjes së tij.

Delegacioni do të marrë pjesë edhe në hapjen e forumit të NATO-s dhe do të marrë pjesë në takimet e Këshillit të Atlantikut Verior, ku Mickoski do të ketë mundësi të takohet me liderë të tjerë dhe të bëjë deklarata për media.

Mickoski do të marrë pjesë edhe në darkën në Shtëpinë e Bardhë të organizuar për liderët, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski do të marrin pjesë në darka speciale të organizuara nga Sekretari i Shtetit Etony Blinken dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Lidhur me mungesën e shqiptarëve në delegacion, ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Me BDI-në në Qeveri, Republikën e Maqedonisë së Veriut jo vetëm në samitet ndërkombëtare të NATO-s dhe të tjera, por edhe në institucionet më të larta të SHBA-ve e përfaqësonin kryeministri shqiptar, zëvendëskryeministri i parë e ministrat shqiptarë. Ndërsa sot, për herë të parë vendin tonë e përfaqëson një delegacion monoetnik në Samitin e NATO-s në Washington, SHBA. Delegacioni monoetnik nga Qeveria monoetnike është një dëshmi shtesë se vazalët e VLEN-it i shumëzon me zero si pasojë e mungesës së legjitimitetit zgjedhor dhe etnik. Sot, në delegacionin e RMV-së në Samitin e NATO-s nuk ka vend as për zëvendëskryeministrin “xhentëllmen” e lëre më ndonjë ministër.Prezenca simbolike e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe jo në punimet e samitit, nuk e mbulon turpin e shkeljes me dy këmbë të rolit dhe dinjitetit të shqiptarëve si popull shtetformues në vend”, thuhet në reagim.

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë poshtërim dhe nënshtrim në të gjitha segmentet e qeverisjes thuhet më tej në reagim.

“Ky akt përfaqëson një përpjekje sistematike për të larguar shqiptarët edhe nga pjesëmarrja në përfaqësimin e vendit në proceset integruese, në të cilat BDI ka qenë protagoniste, edhe në anëtarësimin në NATO, edhe në nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Mirëpo Vlen siç përmendëm më lartë janë përgjigjur se Gashi ka agjendën e tij në Uashington,

“Neve na vjen keq që BDI-ja ka zgjedhur metoda shumë të gabuara për të krijuar pakënaqësi te shqiptarët. Megjithatë, ne e dimë pse po i trillojnë këto përralla për, gjoja, reduktimin e përfaqësimit të shqiptarëve. Ata përpiqen që kështu t’i fshehin gjurmët e mëkateve të tyre. Por, ata ende ia kanë borxh opinionit përgjigjen se pse i kanë ofruar Mickoskit të hyjmë në qeveri në vend të VLEN-it me katër ministra, pa kryetarin e Kuvendit së bashku me garancinë se zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm do t’i lejojnë kandidatët e tij maqedonas të bëhen kryetarë të komunave të Kërçovës dhe Strugës?!”, pyesin nga VLEN.

Kujtojmë se më 5 korrik, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut ishte nikoqire e mëngjesi të punës së NATO-s, ku morën pjesë ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, Ukrainës, Japonisë dhe BE-së. Ngjarja u mbajt në prag të Samitit të NATO-s në Uashington, ku do të shënohet 75-vjetori i formimit të Aleancës.

Ky takim shërbeu si mundësi për të konfirmuar prioritetet kryesore të Aleancës, të cilat duhet tu përgjigjen sfidave të përbashkëta. Në të njëjtën kohë, u theksua rëndësia e demonstrimit të përbashkët të unitetit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të forcuar kapacitetet dhe mundësitë për siguri kolektive.

Në Samitin e NATO-s nga 9 deri në 11 korrik, pritet formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Ukraina nuk do të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s, pasi NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar.

NATO-ja do ti dhurojë armë dhe municione Ukrainës.

Përveç Këshillit NATO-Ukrainë në nivel liderësh, do të ketë edhe dy sesione të tjera pune në samit. I pari ka të bëjë me atë se sa e përgatitur është NATO-ja në rast se do të sulmohej.

Aleatët e NATO-s kanë rritur prodhimin e municioneve që nga viti 2022, nga rreth 100,000 predha artilerie para luftës në rreth dy milionë fishekë këtë vit dhe rreth tre milionë fishekë që priten në vitin 2025, sipas zyrtarëve.

Afrim GashiBashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Hristijan Mickoski HristianNATOQeveria e Maqedonisë së VeriutSamiti i NATOVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)VMRO-DPMNE