Debat: QKSH dikur ishte sfidë dhe krenari, ndërsa sot është një vatër punësimesh partiake

“Është e dhimbshme dhe tragjike që në vitin 2025, në cilin do shtet që të shkoj, i gjej ish-studentët e mi që kanë qenë ndër kandidatët më të mirë të gjeneratës së tyre, ndërsa kur trokas në dyert e Qendrës Klinike ‘Nëna Tereza’, sinqerisht kam frikë se në cilën derë po trokas. Mund ta imagjinoni cilësinë e kuadrit që po punësohet”. Kështu theksoi profesori Niko Beqarovski nga Klinika e Toksikologjisë në panel-diskutimin e djeshëm “As tuajt, as tanët, reformë për punësime të drejta në shëndetësi”, transmeton Portalb.mk.

Ngjarja u organizua nga Qendra Ballkanike për Politika Konstruktive “Sollucija”, e cila përmes platformës qytetare “Zamisli”, së bashku me Shoqatën e Juristëve të Rinj, Klubin e Mjekëve të Rinj dhe Asociacionin e Specializantëve dhe Mjekëve të Rinj, kërkojnë heqjen e të drejtës diskrecionale të drejtorëve gjatë punësimeve në sistemin shëndetësor.

Katarina Sinadinovska nga “Sollucija” theksoi se brenda tre viteve janë ndërruar katër ministra të shëndetësisë dhe me secilin prej tyre kanë biseduar për ndryshimet e Ligjit për Kujdes Shëndetësor. Ajo tha se më në fund, pas takimit me ministrin aktual Azir Aliu, organizatat janë përfshirë në grupin punues për ndryshimet e ligjit. Më 6 tetor, ministri Aliu njoftoi se 12 ligje të fushës së shëndetësisë po analizohen së bashku me përfaqësues të shoqatave të mjekëve, sindikatave, odave profesionale dhe ekipeve të Ministrisë së Shëndetësisë, për t’u harmonizuar dhe për të shmangur pengesat në funksionimin e sistemit shëndetësor.

Goce Kocevski nga Shoqata e Juristëve të Rinj tha se vetëm në sektorin shëndetësor drejtori ende ka të drejtë diskrecionale të punësojë kë të dojë nga kandidatët e paraqitur, e jo kandidatin më të mirë sipas renditjes.

“Drejtori i institucionit shëndetësor ka duart e lira të zgjedhë kë të punësojë, pavarësisht mendimit të Komisionit, të cilin ai vetë e formon. Nëse dëshiron, mund ta punësojë edhe të fundit në listë. Ne propozojmë që vendimin ta marrë një Komision i përbërë nga Kolegiumi Profesional i institucionit, e jo një komision i formuar nga drejtori. Me fjalë të tjera, të mos vlerësoheni nga dikush që nuk ka lidhje me fushën tuaj”, tha Kocevski.

Ai shtoi se janë të kënaqur me zhvillimin e deritanishëm të procesit dhe se në versionin e punës të ligjit janë pranuar disa kërkesa të tyre: konkursi të zgjasë 15 ditë, të publikohet online në më shumë platforma e jo vetëm në media të shtypura, si dhe që Komisioni profesional të jetë ai që do t’i kryejë tre fazat e vlerësimit dhe intervistën.

“Konkursët shpallen të premten, para ose pas festave, dhe gjasat që të arrijnë te ju janë shumë të vogla. Kjo është vetëm drafti i parë i ligjit dhe duhet të ndjekim me vëmendje zhvillimet, sepse gjithçka është e mundur. Duhet të jemi vigjilentë”, tha Kocevski.

Prof. Beqarovski, me 35 vite përvojë në Klinikë dhe 33 vite si profesor në Fakultetin e Mjekësisë, foli hapur për përvojat e tij gjatë karrierës. Ai tregoi se si duken intervistat e punës për kandidatët që kanë lidhje dhe mbështetje politike.

“Ka raste kur kandidatët e parapërcaktuar i dinë pyetjet paraprakisht; e zgjidhin testin për 10 minuta, ndërkohë që edhe ne me 30 vite përvojë do të kishim vështirësi ta zgjidhnim testin me 300–400 pyetje. Kështu krijohet një pabarazi e madhe që në start. Pastaj vjen pjesa me pyetje të mbyllura në zarfe, nëse ka 4 kandidatë, ka 8 pyetje; nëse ka 5, ka 10 pyetje. Kandidati që duhet të punësohet i di të gjitha. E mjafton komisioni t’i shtrojë pyetje shtesë, që të kuptohet se asgjë tjetër nuk di. Dhe kur pavarësisht gjithçkaje ai kandidat nuk merr pikët e mjaftueshme, hyn në lojë e drejta diskrecionale e drejtorit. Një kolege që u ankua më pas, mori përgjigje: ‘Ti je më e mençura, di më shumë se të gjithë, por mua më pëlqen kandidati numër 4, prandaj atë do ta punësoj’. Intervista nuk i ngjan asgjëje, përveç një forme ku kandidatët hyjnë me radhë dhe fituesit i urojmë para se të mbarojnë intervistat me të tjerët”, tha ai.

Sipas profesorit, Qendra Klinike e Shkupit dikur ishte sfidë dhe krenari, ndërsa sot është shndërruar në një vatër punësimesh partiake.

“Nëse kjo situatë nuk ndryshon, kot janë edhe spitalet private, sepse brezi i vjetër që u shkollua sipas standardeve të vërteta po shkon drejt daljes në pension, dhe në vend të tyre po vijnë njerëzit që mbeten në vend, që për fat të keq nuk janë nga ‘kremi’. Unë dhe kolegët e mi me shumë përvojë, me gjithë kontaktet që kemi, kemi frikë se në cilën derë të Klinikës do të trokasim”, përfundoi ai.

 

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Qendra Klinike Shkup