Zgjedhjet lokale 2025 kanë ndryshuar udhëheqësinë lokale në shumë komuna, disa parti arritën t’i ruajnë bastionet ndërsa disa të tjera shënuan humbje. Portalb.mk sjell hartat me fituesit e zgjedhjeve lokale 2025 dhe 2021.
Në zgjedhjet lokale 2025 VMRO-DPMNE ka shënuar fitore bindëse duke fituar 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit, në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale kjo parti ka fituar 12 komuna më shumë.
LSDM-ja opozitare fitoi në 6 komuna, apo në 10 më pak se zgjedhjet e kaluar.
Në bllokun politik shqiptar u përmbys rezultati, koalicioni VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) ka fituar 9 komuna, shumicën e komunave urbane.
Ndërkaq koalicioni AKI (BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët, e Ziadin Selës dhe Arben Taravairt) ka fituar vetëm 4 komuna, asnjë nga komunat e mëdha urbane.
Lëvizja Znam dhe Unioni i Romëve kanë fituar nga një komunë.
Në Strugë fitoi kandidati i pavarur i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe VLEN.
Levica nuk ka fituar asnjë komunë.
Në katër komuna nuk u arrit cenzusi dhe do të organizohen zgjedhje të reja.
Në zgjedhjet lokale 2021, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE fitoi 42 komuna. Kryetarët e komunave të mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) drejtuan 16 komuna, ndërsa kryetarët e mbështetur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) drejtuan 11. Koalicioni midis Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës fitoi 2 mandate të kryetarëve, BESA – 2, dhe koalicioni LDP/DOM, PDSH dhe GROM nga një. Tre vende të kryetarëve të komunave u fituan nga kandidatë të pavarur.
Këto zgjedhje mes tjerash do të kujtohen për tre momente politike: Fitorja e kandidatit shqiptar në Çashkë, fitorja e VMRO-së në Kërçovë dhe humbja e kandidatit shqiptar në Bërvenicë.
Rrethi i parë i zgjedhjeve të teta lokale në RMV u mbajt më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.