Conrad: Përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës është i palëkundur

Përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës është i palëkundur, ka theksuar zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, në shënimin e 25 vjetorit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, raporton Koha.net.

Conrad tha se qëndrojnë përkrah Kosovës, jo vetëm si partner dhe aleat, por si mik i vërtetë, duke ndarë vizionin e ardhshëm për një Evropë të begatë dhe të sigurt. Ai potencoi se që nga viti 1999, Gjermania ka investuar afër një miliardë euro për ndërtimin e infrastrukturës, nxitjen e rritjes ekonomike, rritjen e shërbimeve sociale, fuqizimin e komuniteteve, inovacionin, punësimin, integrimin në BE e të tjera.

“Përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës është i palëkundur. Dhe ndërsa reflektojmë për veten tonë, historinë tonë gjermane, historinë tonë të trazuar gjermane, historinë e vështirë, ne e kuptojmë dhe e mbështesim shumë dëshirën e Kosovës për t’u integruar në familjen euroatlantike. Ne qëndrojmë përkrah Kosovës, jo vetëm si partner dhe aleat, por si mik i vërtetë, ndajmë vizionin e ardhshëm për një Evropë të begatë dhe të sigurt. Gjatë çerek shekullit të kaluar, 25 vjet, Kosova ka bërë përparime të jashtëzakonshme në aspektin ekonomik, zhvillimit shoqëror, dhe si një komb sovran… Gjermania ka investuar afër një miliardë euro që nga viti 1999. Këto para janë drejtuar për ndërtimin e infrastrukturës për të nxitur rritjen ekonomike, rritjen e shërbimeve sociale, fuqizimin e komuniteteve, inovacionin, të rinjtë, punësimin, integrimin në BE, menaxhimin e mbeturinave, për një Kosovë më të gjelbër dhe më të shëndetshme”, tha Conrad.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se Gjermania është partneri kryesor tregtar për Kosovën. Përveç kësaj, ajo tha se shteti gjerman është partneri kryesor për investime dhe për sigurinë e Kosovës.

“Gjermania është partneri kryesor tregtar për Kosovën. Gjermania është partneri edhe për investime kryesore, por edhe për sigurinë e Kosovës, për ekipin më të madh për KFOR-in për të ruajtur sigurinë e vendit tonë. Në vitin 2008 pas deklarimit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në konferencën pas pavarësisë, Gjermania ishte një nga donatorët më fer dhe më të drejtë ndaj republikës sonë, duke ofruar zotimet e reja për ndihmën dhe bashkëpunimin me vendin tonë që ishte një befasi për ne…Bashkëpunimi gjerman është në interes për të zbërthyer potencialin e njerëzve tanë, të republikës sonë, të sektorit privat por edhe për stabilitetin institucional që Kosova të integrohet sa më shpejtë në reformat e integrimit evropian. Jam mirënjohës për angazhimin gjerman, nga bashkëpunimi gjerman në zhvillimin ekonomik dhe trajnimin për të rinjtë tanë për të fituar punë të denjë dhe më të shpejtë”, tha Hajdari.

Dialog Kosovë - SerbiGjermaniaKosovaOlaf Shollc (Olaf Scholz)