Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore “Ditët e Reçakut”, u hap ekspozita tradicionale e artit pamor “Çmimi William Walker”, e cila prej vitesh është shndërruar në një prej ngjarjeve më domethënëse kulturore të këtij manifestimi. Ekspozita sjell përmes gjuhës së artit një kujtesë të gjallë për Reçakun, duke e kthyer dhimbjen dhe të vërtetën historike në mesazh njerëzor, reflektim dhe thirrje për drejtësi, shkruan Portalb.mk.
Edhe sivjet, në këtë ngjarje nuk mungoi William Walker njeriu që 27 vjet më parë e ngriti zërin publikisht dhe e bëri të njohur para botës atë që kishte ndodhur në Reçak. Prania e tij i dha ekspozitës një peshë të veçantë simbolike, si kujtesë se e vërteta duhet të thuhet me guxim dhe se dëshmia ka forcë të ndryshojë rrjedhën e historisë.
Ambasadori William Walker në fjalën e tij tha se “Arti nuk është diçka e re për atë këtu në Kosovë. “Artin në Kosovë e kam përjetuar kur kam qenë pjesëtar i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Mirëpo, në atë kohë bëhej ndryshe, në rrethana të tjera, në një mjedis komplet ndryshe”.
Kuratorja e ekspozitës, Emine Jetishi, tha se, “duke qenë se ai ka qenë dëshmitar i së vërtetës, edhe ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker” shërben si shenjë nderimi për të dhe si dëshmi e së vërtetës”.
Fituesit e këtij edicioni janë:
- Çmimi për Grafikë: Astrit Rexhepi.
- Çmimi për Mozaik me Tekstil: Fatos Kabashi.
- Çmimi Kryesor “Çmimi William Walker”: Laura Siner Brahimi.
Piktorja Laura Siner Brahimi ka thënë se “dhimbja ime mbeti fëmijë, por tani flet me zë të lirë. Jam mirënjohëse për njeriun që e tha të vërtetën dhe falë të cilit sot historia mori drejtimin e saj. Babai i historisë, William Walker”.
Këtë vit, ekspozita solli 25 artistë, të cilët me vepra pamore nga piktura e grafika, te fotografia dhe instalacioni, trajtuan temën e kujtesës, dhimbjes dhe dinjitetit njerëzor. Përmes krijimeve të tyre, publiku u ftua të ndalet, të reflektojë dhe të kuptojë se Reçaku nuk është vetëm një datë në kalendar, por një plagë që kërkon ndërgjegje, kujtim dhe përgjegjësi.