Çmimi i naftës ra në tregjet botërore, Brent në 73 dollarë për fuçi

Çmimi i naftës në tregjet botërore ka rënë në nivelin më të ulët që para nisjes së konfliktit me Iranin, ndërsa lundrimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit po rikthehet gradualisht në normalitet, transmeton Top Channel.

Nafta e tipit Brent zbriti në 73 dollarë për fuçi, pasi kishte prekur nivelin e 126 dollarëve në fund të muajit prill, kur përshkallëzimi i konfliktit mbërriti kulmin. Ky është niveli më i ulët i çmimit që nga 27 shkurti, një ditë para se sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit të çonin në mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit.

Rënia e çmimit pritet të sjellë lehtësim për bizneset dhe konsumatorët, të cilët u përballën me rritje të ndjeshme të kostove të karburanteve gjatë muajve të fundit.

Chris Beauchamp, analist kryesor i tregjeve në IG, tha se nafta Brent është në rrugën e duhur për të regjistruar rënien më të madhe mujore që nga viti 2020.

“Kjo sjell lehtësim për konsumatorët në mbarë botën, me kushtin që industria të arrijë të kompensojë mungesat e krijuara nga muaj të tërë ndërprerjesh. Megjithatë, kjo do të godasë fitimet e kompanive të sektorit të energjisë”, u shpreh ai.

Sipas raportimeve, rreth 200 anije kanë kaluar tashmë nëpër Ngushticën e Hormuzit që prej arritjes së marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit.

Për Europën, shumë importe të benzinës dhe naftës bazohen te çmimet e platformës Platts, që janë referencat kryesore edhe për Shqipërinë. Platts nuk shet naftë, por publikon çmime referuese që përdoren nga rafineritë, importuesit dhe tregtarët në mbarë botën.

Çmimi referencë i saj i naftës në Shqipëri për datën 24 qershor ishte 886 dollarë për ton, dhe në datën 25 ishte 913 dollarë për ton. Çmimet e saj reflektohen më vonë në pikat e karburantit në vendin tonë.

Kompanitë shqiptare në përgjithësi blejnë sasi të mëdha nafte, të cilat mbërrijnë me anije pas disa ditësh ose javësh. Nëse një ngarkesë është blerë kur çmimi ishte i lartë, ajo do të shitet me atë kosto, edhe nëse ndërkohë çmimet ndërkombëtare kanë rënë.

Çmimi i naftësNafta